Qeverisja e të drejtës është parakusht për një Maqedoni demokratike ndaj të cilës të gjithë synojmë së bashku edhe ju si media edhe ne si politikanë dhe e gjithë shoqëria në përgjithësi. Mendoj se duhet të jepet hapësirë për tërë procesin që e vërteta të dalë në shesh, të besojmë në institucionet natyrisht duke respektuar të gjitha institucionet, deklaroi deputeti i BDI-së Artan Grubi në lidhje me ngjarjet e sotme dhe arrestimet e disa deputetëve. Për këtë, siç tha Grubi, nëse guxon që të arrestohen deputetë duhet të prononcohet kryetari i Kuvendit dhe kryetari i Komisionit për çështje procedurale dhe mandatare imunitare.
“Pasi të njoftohet Kuvendi, mendoj se organet kuvendore do të mblidhen për të vlerësuar si të vazhdohet më tutje”, tha Grubi pas solemnitetit të sotëm me rastin e Ditës së Flamurit Kombëtar – 28 Nëntori. I pyetur për ta komentuar protestën e sotme të VMRO-DPMNE-së para gjykatës për shkak të arrestimeve të deputetëve dhe mbështetësve të tyre, deputeti i BDI-së tha se të gjithë ne së bashku duhet të japim kontribut për qetësim e jo për ndezje të situatës, por duhet t’i respektojmë të gjitha institucionet Prokurorinë, policinë, politikanin, deputetin, partitë politike…… “Të japim kontribut ndaj qetësimit të situatës dhe daljes në shesh të së vërtetës për atë që ka ndodhur”, tha deputeti Grubi. Në lidhje me plotësimin e vendeve të zbrazëta në Qeveri, Grubi tha se pasi do të dakordohen partnerët e koalicionit BDI-LSDM, gjegjësisht kryeministri Zoran Zaev dhe lideri i partisë së BDI-së Ali Ahmeti, propozimi do të dërgohet deri në Kuvend. “Ka një qeveri shumë stabile me shumicë stabile parlamentare. Qeveri reformuese e cila ka mbështetje të madhe te miqtë tanë të Evropës. Pasi të dakordohen Zaevi dhe Ahmeti, ndërsa mendoj se tani më janë dakorduar, do të vijojë edhe propozimi nga ana e Qeverisë deri në Kuvend që të zgjidhen ministri i ri i Shëndetësisë dhe zëvendësministri i ri i Arsimit dhe ministër pa portofol dhe mendoj edhe një funksion tjetër”, tha Grubi. Në solemnitetin e sotëm në hotelin “Aleksandar Pallas” nuk mori pjesë asnjë ministër ose deputet i Qeverisë nga partnerët e koalicionit të BDI-së nga radhët e partive të maqedonasve. Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve nëse ata janë ftuar dhe pse nuk kanë marrë pjesë, Grubi tha se ata nuk janë ftuar sepse ngjarja nuk ishte qeveritare, institucionale siç tha, por ishte nën mbështetjen e liderit të BDI-së Ali Ahmeti.