Sot kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Artan Grubi, mori pjesë në Konferencën me temë: “Rruga e Republikës së Maqedonisë – fillim i ri, kthimi në rrugën e BE-së dhe shembull për ndërtimin e raporteve të mira në rajon”, në organizim të Institutit Progres për Demokraci Sociale.
Fjalim hyrës në kornizat e panelit të parë kushtuar reformave dhe politikave për ndërtimin e besimit në Maqedoni kishin Grubi së bashku me Kryetarin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev dhe Sasho Ordanovski, analist politik.
Fjalimi i plotë i kryetarit të Komisionit për Çështje Evropiane të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë Artan Grubi.
Të nderuar organizatorë, të nderuar mysafirë, Kryeministër, zonja dhe zotërinj,
11 dhjetori 2016 paraqet një leksion shumë të madh dhe shumë të dobishëm politik dhe jetësor për të gjithë ne, për partitë politike, mediat, organizatat joqeveritare, qytetarët, dhe në përgjithësi për të gjithë shoqërinë tonë.
11 dhjetori dikujt ia tregoi kartonin e kuq, të dytëve ua tregoi kartonin e verdhë, të tretëve u dha paralajmërim, të katërtëve mundësi për një fillim të ri, të pestëve ua ndau tërfilin me katër gjethe, etj. Por kjo megjithatë është perspektivë në aspekt të faktorëve politikë.
Por, mbi të gjitha, dhe më e rëndësishmja, 11 dhjetori i dha mundësi Maqedonisë dhe duhet ta shfrytëzojmë në çdo mënyrë të mundshme. Ne, bashkërisht, duhet t’i ndihmojmë shtetit tonë.