Nevoja e sjelljes së Ligjit për Gjuhët ka marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve në Kuvend. 66 deputetë votuan “pro” vazhdimit të procedurës për miratimin e këtij ligji, ndërsa kundër ishin vetëm 41 deputetë të VMRO-DPMNE-së. Pas votimit, deputeti Artan Grubi nga BDI tha se tani i është hapur rruga avancimit të gjuhës shqipe në nivel të pushtetit qendror, por se zyrtarizimi i plotë është i pamundur tash për tash.
ARTAN GRUBI, BDI
“Me këtë ligj gjuha shqipe barazohet në të gjitha organet e pushtetit qendror, në të gjithë përdorimin zyrtar, ndërsa me ndryshim të mundshëm të Kushtetutës, atëherë bëhet barazimi i plotë edhe për përdorim të jashtëm të gjuhës shqipe me gjuhën maqedonase, por për këtë nevojitet numër prej 81, të cilat për momentin nuk i kemi”
Nga Lëvizja BESA, deputeti Fadil Zendeli tha se votuan pro nevojës për sjelljen e Ligjit për Gjuhët, por se në fazën e dytë do të propozojnë amendamente me të cilat ligji do të harmonizohet sipas kërkesës së deklaratës së partive shqiptare.
FADIL ZENDELI, LËVIZJA BESA
“Me këtë propozim ligj për përdorimin e gjuhëve, nuk zyrtarizohet gjuha shqipe ashtu siç është kërkesë e partive politike shqiptare, ashtu siç është kërkesë e qytetarëve shqiptarë, ashtu siç është kërkesë e Lëvizjes BESA, ashtu siç është e definuar në deklaratën e partive politike shqiptare, ku shumë qartë tregon se çfarë pozite dhe çfarë statusi duhet të ketë gjuha shqipe në institucione shtetërore dhe publike në Maqedoni, por ky propozim ligj vetëm e avancon përdorimin e gjuhës shqipe nëpër ninstitucionet shtetërore dhe publike”
Edhe nga LSDM thanë se po punojnë në drejtim të përgatitjes së amendamenteve për në lexim të dytë të ligjit. Deputeti Tomisllav Tuntev, pret që gjatë diskutimit të amendamenteve, do të arrijnë zgjidhje në interes të të gjithë qytetarëve.
TOMISLLAV TUNTEV, LSDM
“Me votimin e sotëm fillon procedura për rrumbullakësimin e plotë të kësaj çështje që është hapur me nënshkrimin e Marrëvshjes së Ohrit. Me propozimin e ligjit të gjuhëve, përfundimisht do të rrumbullakësohet procesi i implementimit të MO-së në pjesën e avancimit të të drejtave të njeriut në vend. Pres që në bashkëpunim me partnerët e koalicionit por edhe me deputetët tjerë, gjatë diskutimit të amendamenteve do të vijmë deri në zgjidhje të plotë e cila do të jetë në interes të të gjithë qytetarëve dhe gjithë etniteteve në këtë shtet”
Deputeti Ilija Dimovski deklaroi nga foltorja se VMRO-DPMNE nuk e mbështet këtë propozim ligj, për shkak se sipas tij, ai nuk zgjidh çështjen e shqiptarëve dhe diskriminon gjuhët e qytetarëve të cilët janë pakicë në Maqedoni.
ILIJA DIMOVSKI, VMRO-DPMNE
“Ky ligj absolutisht nuk është në suaza të kornizave të Kushteutës së Maqedonisë dhe absolutisht nuk është në suaza të Marrëvshjes së Ohrot dhe del jashtë kornizave të tij. Për fat të keq, ligji nuk bashkon, u dëshmua në disa muajt e kaluar se ky ligj përçan. Ky ligj nuk ndërton shoqëri të barabartë për të gjithë, ky ligj krijon shoqëri paralele në Maqedoni”
Javën e ardhshme Komisioni për Eurointegrime do të caktojë seancë në të cilën do të hapet debat për pjesën materiale të propozim ligjit, por edhe diskutim për amendamentet. Thuajse të gjitha partitë parlamentare njoftuan se do të parashtrojnë amendamente në fazën e ardhshme. Mefail Ismaili /SHENJA/

