Pensionistët në Greqi kanë protestuar kundër shkurtimit të pensioneve duke kundërshtuar masat shtrënguese, raporton AA.
Mbi tre mijë pensionistë të mbledhur në sheshin Kotzia në Athinë me ftesë të sindikatave të ndryshme, marshuan deri në Ministrinë e Punës dhe Solidarizimit Social.
Duke hedhur slogane kundër masave shtrënguese dhe politikave të qeverisë, protestuesit kanë ngritur pankarta me mbishkrimin “Mos i shkurtoni pagat, shkurtoni shpenzimet tuaja”.
Ndërkaq, Dimos Koumbouris, kryetar i Unionit të Pensionistëve të Entit të Sigurimeve Sociale (IKA), në një deklaratë për mediat i ka cilësuar si “të patolerueshme dhe katastrofale” shkurtimet e reja, siç është shprehur, në këto kushte të vështira.
Nga ana tjetër, Gerasimos Benetatos, pensionist 72 vjeçar që mori pjesë në protestë, tha se deri më tani ka qenë subjekt i 11 shkurtimeve të pagës që nga kriza financiare, duke shtuar se “Këto janë politika vdekjeprurëse. Këto do të vazhdojnë derisa të jenë edhe politikanët evropianë”.
Gjatë protestës që zgjati gati katër orë, u morën masa intensive të sigurisë, ndërkohë që disa rrugë në qendër të qytetit u mbyllën për trafikun.