Një 55-vjeçar shqiptar është plagosur me armë zjarri në Athinë, në një ngjarje të ndodhur në orët e para të mëngjesit.
Sulmi ndodhi në lagjen Patisia, ndërsa autorët u larguan nga vendi i ngjarjes me një motoçikletë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 04:55, në rrugën Vrutu, në momentin kur 55-vjeçari po dilte nga banesa e tij.
Sipas informacioneve të para, dy persona iu afruan dhe qëlluan me armë zjarri në drejtim të tij. Pas sulmit, autorët u larguan me motor.
I plagosuri u transportua në spital për të marrë ndihmë mjekësore dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Emri i tij nuk është bërë ende publik.
Policia greke ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Çështja po ndiqet nga Drejtoria e Krimit të Organizuar e Policisë së Atikës.
Në vendngjarje janë mbledhur prova që mund të ndihmojnë hetimin, ndërsa autoritetet po verifikojnë edhe të kaluarën e 55-vjeçarit dhe motivin e sulmit.
Një nga pistat që po shqyrtohet është mundësia e një konflikti të mëparshëm, por deri tani nuk ka një motiv të konfirmuar.



