E ardhmja e Groenlandës, ishullit strategjik të Arktikut, do të jetë në qendër të një takimi të nivelit të lartë javën e ardhshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Danimarkës. Takimi vjen pas presionit të ripërtërirë nga administrata e Presidentit Donald Trump për të vënë nën kontroll amerikan territorin e pasur me minerale.
Ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, konfirmoi gatishmërinë për dialog, duke e cilësuar atë si të nevojshëm, ndërsa qeveria e Groenlandës ka vendosur “vijën e kuqe”: asnjë diskutim nuk do të bëhet pa praninë e tyre.
Amerikane Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, njoftoi se takimi do të mbahet javën tjetër, duke shmangur komentet mbi ndërhyrjen ushtarake, por duke konfirmuar interesin e lartë. Megjithatë, qëllimet e administratës duken më radikale në prapaskenë. Rubio u ka komunikuar ligjvënësve se synimi përfundimtar mbetet blerja e Groenlandës.
Nga ana tjetër, Zëvendëspresidenti JD Vance ka ashpërsuar tonet. Në një intervistë për Fox News, ai kritikoi Danimarkën se nuk po bën mjaftueshëm për sigurinë e ishullit.
“Fakti që bëre diçka të zgjuar 25 vjet më parë, nuk do të thotë që nuk mund të bësh diçka budallallëk tani,” tha Vance, duke theksuar se infrastruktura e mbrojtjes nga raketat e SHBA-së varet nga ky territor dhe se Trump është i gatshëm “të shkojë aq larg sa duhet”.
Reagimi i Groenlandës: “Asgjë pa ne”
Përballë retorikës amerikane, Nuuku zyrtar ka reaguar me vendosmëri. Ministrja e Jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt, deklaroi prerë: “Asgjë për Groenlandën pa Groenlandën. Sigurisht që ne do të jemi atje. Ne jemi ata që kërkuam takimin.”
Aaja Chemnitz, deputete e Groenlandës në parlamentin danez, i cilësoi komentet e administratës Trump si mungesë respekti. Ajo mohoi pretendimet se ishulli është “i mbuluar me anije kineze dhe ruse” dhe theksoi se banorët kërkojnë më shumë vetëvendosje, jo ndërrim të sovranitetit.
Alarmi në Evropë: “Ligji i më të fortit”
Situata ka vënë në lëvizje liderët evropianë. Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi për një botë “gjithnjë e më jofunksionale”, ku fuqitë e mëdha po tundohen të ndajnë botën mes tyre. “Është ligji i më të fortit. Njerëzit pyesin veten nëse Groenlanda do të pushtohet, apo nëse Kanadaja do të jetë nën kërcënimin e bërjes shteti i 51-të i SHBA-së,” tha Macron në një fjalim të ashpër.
Edhe Antonio Costa, Presidenti i Këshillit Evropian, së bashku me liderët e Kanadasë, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, kanë dalë në mbrojtje të sovranitetit danez dhe groenlandez.
Aktualisht, SHBA operon Bazën Hapësinore “Pituffik” në veriperëndim të ishullit, thelbësore për paralajmërimin e raketave. Marrëveshja e vitit 1951 lejon praninë amerikane, por Danimarka po investon gjithashtu fuqishëm. Vitin e kaluar, Kopenhaga njoftoi një paketë prej 2.3 miliardë dollarësh për mbrojtjen e Arktikut, duke përfshirë anije të reja, dronë me rreze të gjatë dhe satelitë, për të forcuar sovranitetin në rajon.


