Të jesh i mençur, nuk do të thotë me doemos të jesh mashkull. Kjo ishte një ndër porositë që u dërgua nga debati “Gruaja në pozita udhëheqëse dhe përfaqësimi i denjë i gruas në shoqëri”, nën organizim të Këshillit Iniciues për Përfaqësim të Drejtë të Gruas në bashkëpunim me Shoqatën ‘Forumi i Gruas Tetovë’. Kryetarja e Forumit të Gruas, Xhane Kreshova, tha se ky debat është organizuar pikërisht tani, në prag të përzgjedhjes së funksionarëve për eshalonin e dytë dhe të tretë, pasi siç vlerësojnë organizatoret, numri i grave të cilat janë të vendosura në pozita udhëheqëse është shumë i ulët.
“Me formimin e Qeverisjes së re, jemi dëshmitarë se nuk pamë asnjë fytyrë gruaje nga radhët e partive. Duke marrë parasysh që ende nuk është zgjedhur eshalloni I dytë dhe I tretë, partitë politike shqiptare duhet që të mendojë pak dhe të fusin në radhët e ekzekutivit edhe ndonjë grua”, deklaroi Kreshova.
Ndërkaq, Gjyla Çeliku nga Këshilli iniciues për përfaqësim të drejtë të gruas, tha se në eshalonin e parë me përfaqësimin e ulët që kanë pasur gratë, janë shkelur të drejtat e tyre.
“Në konventën e Pekinit, në vitin 1995 në platformë u caktua që gruaja të përfaqësohet edhe në vendet e pazhvilluara nga 30 deri në 40 përqind , ashtu siç është Maqedonia, kuotë kjo që nuk u rrespektua dhe kuotë kjo e cila të frustron shpirtrisht, sepse ndjehesh, sidomos gratë aktiviste të partive politike, ndjehen të shfrytëzuara vetëm për votë dhe vetëm për dekor përpara ndërkombëtarëve”, deklaroi Çeliku.
Në këtë debat të drejtë diskutimi patën të gjitha gratë e pranishme, të cilat folën mbi eksperiencat e tyre, për orientimet dhe hapat e ardhshme, e gjithë kjo me qëllim që të dëgjohet zëri i gruas së zgjuar në Maqedoni.
Ajnur Bafqari /SHENJA/
“Gratë shqiptare të përfaqësohen më shumë në… by tvshenjaofficial