Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim ka larguar me sukses një granatë artilerie të pashpërthyer prej 155 milimetrash, me peshë rreth 45 kilogramë, e cila daton nga periudha e Luftës së Parë Botërore. Mjeti i rrezikshëm shpërthyes u gjet në territorin e fshatit Pepelishtë, në Komunën e Negotinës.
Nga Drejtoria bëjnë të ditur se ndërhyrja ishte veçanërisht e ndërlikuar për shkak të terrenit të vështirë dhe faktit se granata ndodhej në shtratin e lumit Vardar.
Me mbështetjen e Njësisë Territoriale të Zjarrfikësve nga Negotina, e cila siguroi një varkë për qasje në vendngjarje, pirotekniku Gjorgji Stefanov arriti ta nxjerrë granatën në mënyrë të sigurt.
Më pas, granata u transportua dhe u sigurua deri në asgjësimin e saj përfundimtar në poligonin ushtarak „Krivollak“.
Drejtoria shprehu mirënjohje për Njësinë e Zjarrfikësve të Negotinës për bashkëpunimin profesional dhe ndihmën e shpejtë gjatë realizimit të operacionit.
Njëkohësisht, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që, nëse vërejnë mjete të dyshimta shpërthyese, të mos i prekin dhe as t’i lëvizin, por rastin ta raportojnë menjëherë në numrin falas për emergjenca 112.


