Me rritjen e numrit të automjeteve në qarkullim, rritet probabiliteti i vdekjeve/plagosjeve të rënda nga aksidentet rrugore (kur kushtet e tjera mbeten njësoj).
Në tetë vitet e fundit, numri i automjeteve aktive në Shqipëri ka shënuar një rritje dramatike prej 66% (nga 446 mijë më 2013, në 741 mijë më 2021.
Po a është rritur edhe numri i vdekjeve/plagosjeve të rënda nga aksidentet rrugore gjatë së njëjtës periudhë? Përkundrazi, është ulur!
Këto fakte i bën me dije analisti Eduard Zaloshnja, i cili ka publikuar disa të dhëna, nëpërmjet grafikëve të shifrave të numrit të vdekjeve dhe plagosjeve të rënda rrugroe në tetë vitet e fundit në vendin tonë, sipas të cilave ka një rënie drastike të shifrave.
Numri i vdekjeve është ulur me 33% (nga 295 më 2013, në 197 më 2021), ndërsa numri i plagosjeve të rënda pothuaj është përgjysmuar (nga 478 më 2013, në 250 më 2021).
Sipas shifrave të nxjerra nga Zaloshnja, duke ndërthur të dhënat mbi automjetet aktive me të dhënat mbi vdekjet/plagosjet e rënda mund të llogaritet indeksi i vdekshmërisë (vdekje për 100 mijë automjete aktive) dhe indeksi i plagosjeve të rënda (plagosje të rënda për 100 mijë automjete aktive).
Kështu, indeksi i vdekshmërisë ka shënuar një rënie drastike prej 60% (nga 66 më 2013, në 27 më 2021), ndërsa indeksi i plagosjeve të rënda ka shënuar një rënie edhe më drastike; pothuaj 70% (nga 107 më 2013, në 34 më 2021).





