Komuna e Gostivarit përkujtoi sot dëshmorët e flamurit, Nazmi Saliun nga fshati Turçan i Vogël, dr. Shpend Iseinin nga fshati Forinë dhe Milaim Dautin nga fshati Dobërdoll, të cilët më 9 korrik të vitit 1997 dhanë jetën e tyre për avancimin e të drejtave shqiptare dhe për flamurin kombëtar. Në mungesë të kryetarit të komunës së Gostivarit, Arben Taravarit, homazhe mbi varret dhe përmendoret e dëshmorëve bëri një delegacion nga komuna e Gostivarit.
Të shoqëruar edhe nga familjarët, delegacioni i komunës së Gostivarit fillimisht bëri homazhe dhe vendosi lule të freskëta tek busti i Nazmi Saliut në fshatin Turçan i Vogël, me ç’rast Besim Dogani – shef i kabinetit të kryetarit të Gostivarit, deklaroi se 9 korriku i vitit 1997 ishte një nga ndodhitë më domethënëse në mbrojte të kauzës kombëtare që tronditi botën shqiptare dhe që u parapriu shumë kthesave dramatike në Maqedoni dhe më gjerë në hapësirën shqiptare.
Në homazhet te përmendorja e dëshmorit, Milaim Dauti, delegacionit të Gostivarit iu bashkëngjit edhe kryetari i Këshillit të komunës së Vrapçishtit, Emir Durmishi, dhe bashkëpunëtorët e kryetarit të komunës, Isen Shabanit.
Edhe Rilindja Demokratike Kombëtare shënoi sot 21 vjetorin e ngjarjeve të 9 korrikut të vitit 1997, një datë që edhe sot e kësaj dite vazhdon të ngjallë emocione në kujtesën e qytetarëve të Gostivarit dhe shqiptarëve në përgjithësi.
LULZIM HAZIRI