Një operacion i mirëorganizuar dhe i përgatitur prej kohësh nga drejtoria distriktuale antimafia e Trentos u zhvillua në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele, duke çuar në arrestimin e 28 shtetasve shqiptarë rezidentë në Itali.
Operacioni, i koduar “Daku”, një fjalë në gjuhën shqipe, kishte nisur që në vitin 2023 dhe përfshiu dhjetëra efektivë të skuadrave mobile nga qytete të ndryshme, në kuadër të një hetimi kompleks që synonte goditjen e trafikut të lëndëve narkotike në të gjithë rajonin e Alto Adige-s.
Në shënjestër të hetuesve ishte një grup shqiptarësh që merreshin jo vetëm me importin e drogës, por edhe me shpërndarjen e saj në shkallë të gjerë në të gjithë territorin, përmes një rrjeti të strukturuar korrierësh dhe shpërndarësish.
Sipas raportimeve nga mediat italiane, ata përdornin metoda të shpejta dhe të konsideruara të sigurta për dorëzimin e drogës, duke arritur të eliminojnë konkurrencën dhe të krijojnë një pozicion dominues në tregun e paligjshëm.
Gjatë operacionit u sekuestruan 24 kilogramë kokainë e pastër, 23 kilogramë marijuanë, 5.6 kilogramë hashash, si dhe 76 mijë euro cash, të ardhura nga aktiviteti i paligjshëm, së bashku me një armë zjarri.
Hetimet nisën pas dokumentimit të mbi 150 episodeve të shitjes së drogës, përmes vëzhgimeve, filmimeve dhe fotografive. Të dyshuarit kishin ngritur një sistem komunikimi për t’iu shmangur përgjimeve, duke përdorur numra fiktivë, komunikime të koduara dhe platforma sociale.
Lënda narkotike vinte nga Belgjika dhe Spanja, e fshehur në hapësira të posaçme brenda automjeteve, ku transportoheshin sasi prej 10 deri në 15 kilogramë për çdo udhëtim. Më pas ajo depozitohej në vende që nuk lidhen drejtpërdrejt me organizatën, duke siguruar gjithmonë rezerva të mëdha.
Hetimi arriti të identifikojë jo vetëm drejtuesit e grupit, por edhe rojet, korrierët dhe shpërndarësit individualë.
Organizata ishte e ndarë në pesë grupe të ndryshme, anëtarët e të cilëve nuk njiheshin mes tyre. Detyrat ishin të shpërndara nga blerja, transporti, përpunimi, magazinimi deri te shitja. Grupi i fundit merrej edhe me mbledhjen e borxheve të vështira, duke përdorur armë dhe akte të dhunshme.


