Prokurori i SPAK, Vladimir Mara, ka zbuluar detaje të reja në lidhje me operacionin e përbashkët me autoritetet italiane, që goditi një ndër grupet më të fuqishme kriminale të trafikut të drogës me rrënjë në Shqipëri.
Sipas Marës, janë lëshuar gjithsej 52 masa sigurie në Shqipëri dhe Itali, ndër të cilat 40 janë ekzekutuar. Ndër personat e ndaluar figurojnë edhe zyrtarë shtetërorë dhe një avokat.
Gjatë këtij operacioni janë vendosur nën sekuestro një sërë pasurish që dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria kriminale, përfshirë 3 restorante në Durrës, një bar kafe, 6 kompani private si dhe një televizion në qytetin e Vlorës. Mara theksoi se hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrjetin dhe pasuritë e përfituara në mënyrë të paligjshme.
Vladimir Mara: Atëherë ditën e sotme janë ekzekutuar masat e sigurimit për 52 persona në Shqipëri dhe Itali. Janë ekzekutuar 40 masa sigurimi. Janë evidentuar përveç episodeve të trafikimit të lëndëve narkotike dhe pjesëtareve të grupeve të strukturuara kriminale, janë dokumentuar edhe vepra korruptive në Shqipëri.
Kemi masa sigurimi të vendosura nga GJKKO për korrupsion zyrtarë shtetërorë dhe një avokat. Gjithashtu janë ekzekutuar vendime të gjykatës lidhur me sekuestrimin e pasurive që dyshohet se rrjedhin nga aktiviteti kriminal.
Janë sekuestruar 3 restorante në Durrës, një bar kafe, 6 shoqëri tregtare dhe një Televizion në qytetin e Vlorës.
Gjatë këtij hetimi janë sekuestruar 3 milionë euro, para në kesh si të ardhura të këtij grupi kriminal që iu janë nënshtruar këtij procedimi penal.