Personat pa arsim, si dhe ata me arsim jo të plotë, janë “punëkërkuesit” më të shumtë. Edhe pse numri i qytetarëve të papunë që kërkojnë punë dhe të regjistruar në Agjencinë për Punësim të Maqedonisë është në rënie të vazhdueshme, në treg ka disa “anomali” që janë shqetësuese.
Të dhënat e fundit tregojnë se afër 60 mijë persona të papunë janë pa arsim dhe me shkollë fillore, përderisa afër 8000 persona janë pa arsim të mesëm të rrumbullakuar. Me fjalë tjera, mbi 60 për qind e të papunëve janë pa arsim përkatës. Në të njëjtën kohë po shënohet edhe ulje e papunësisë në vend nën 100 mijë të papunë sipas Agjencisë së punësimit në muajin dhjetor 2024. Gjithashtu, vite me radhë, Agjencia e Punësimit zbaton një numër të madh programesh aktive, masash dhe shërbimesh punësimi, si pjesë e planeve operative vjetore për uljen e papunësisë.
Vit pas viti ndahen gjithnjë e më shumë fonde për realizimin e programeve dhe masave aktive për punësim dhe shërbime në tregun e punës dhe kështu gjithnjë e më shumë qytetarëve u jepet mundësia për t’iu bashkuar tregut të punës.
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, në tremujorin e tretë të vitit 2024 apo në fund të muajit nëntor , popullsia aktive në Republikën e Maqedonisë së Veriut është 796.733 persona, prej tyre 698.411 janë të punësuar, ndërsa 98.322 persona janë të papunë. Shkalla e aktivitetit në këtë periudhë është 52.6, shkalla e punësimit është 46.1, ndërsa shkalla e papunësisë është 12.3.
Njëherësh brengos fakti se me dhjetëra mijë të papunë me vite vështirë po gjejnë punë dhe udhëhiqen si të papunë. Edhe 44,118 të tjerë janë regjistruar, por nuk deklarohen si punëkërkues aktivë. Me fjalë tjera, dominojnë të papunë me kualifikime të pamjaftueshme apo që ju mungojnë shkathtësi që kërkohen në tregun e punës që shpesh janë pranues të ndihmës sociale. Të dhënat në lidhje me strukturën moshore të punëkërkuesve, tregojnë se nga mbi 97 mijë punëkërkues aktivë, 39,790 ishin mbi 50 vjeç, apo 40 për qind. Të rinjtë e moshës 20 deri në 29 vjeç janë 16021 ose 16.4%. Nga mosha 30 deri në 50 vjeç, ka një grup prej 40 221 personash të papunë, ose 41.1%.
Një nga arsyet e hendekut ndërmjet ofertës dhe kërkesës për aftësi në tregun e punës, sipas Angel Dimitrov nga Organizata e Punëdhënësve të Maqedonisë , deri më tani ka qenë pikërisht lloji i personelit të arsimuar që i nevojitet punëdhënësve.
“Por tani as që ia bëjmë vetes si pyetje, pyetja e vetme është se si të marrim një punëtor, të cilin do ta trajnojmë, ta motivojmë vetëm që ai të qëndrojë me ne. Këtu na duhen reforma në arsim, jo shpikja e programeve studimore vetëm për regjistrimin e studentëve, por ajo që i nevojitet ekonomisë”, thotë Dimitrov. Me dhjetëra mijë punonjës nga Maqedonia për çdo vit punojnë në bregdetin kroat të joshur nga pagat dhe kushtet më të mira se në hotelerinë vendase. Angelov thotë se punëdhënësit nuk mund të ofrojnë paga në vend si hotelet kroate për kuzhinierë dhe kamerierë, sepse ata nuk i paguajnë dhomat me qira me çmimin kroat.
“Ne nuk mund të paguajmë paga në nivelin e Sllovenisë, Gjermanisë, madje as të Kroacisë. Niveli dhe struktura e ekonomisë dikton se çfarë pagash do të paguhen. Ne nuk kemi kompani të teknologjisë së lartë që do të shesin njohuri, licenca, apo investime për të paguar paga të mëdha. Por në çdo rast, pagat po rriten në përputhje me fuqinë e ekonomisë”, shton ai .
Analiza e fundit e vendeve të lira të punës nga Agjencia e Punësimit tregon se më të kërkuarit janë higjienistët e hapësirave banesore dhe afariste. Aktualisht oferta është për 664 vende të lira pune. Pasojnë 477 kërkesa për punonjës në koll qendër, dhe 326 shitës. Në vend të katërt tretë është kërkesa për punëtorë të përgjithshëm me 299 oferta pune. Kërkohen edhe 208 vozitës kamioni, 200 punonjës për përgatitjen e duhanit , 186 punonjës në sigurim, 174 kamarrier, 143 arkëtar… Nga ana tjetër, mungesa e fuqisë punëtore në Maqedoninë e Veriut po bëhet alarmante. Rreth 12.500 punëtorë ndërtimi mendohet se janë larguar nga vendi në kërkim të një jetese më të mirë. Për shkak të pagave të ulëta, është e vështirë të mbahen punëtorët shtëpiak në vend dhe nuk ka përfitim të madh nga importimi i fuqisë punëtore, pasi punëtorët nga Nepali, India, Pakistani dhe Bangladeshi shpesh e shohin Maqedoninë e Veriut vetëm si një ndalesë dhe një shans për të shkuar drejt Evropës.
Fermerët me vite po luftojnë për të gjetur grumbullues. Ata thonë se pavarësisht se pagat rriten çdo vit, nuk ka fuqi punëtore. Mëditjet sivjet janë rritur për 20 deri në 30 për qind dhe variojnë nga 1600 denarë e lart, varësisht nga kultura bujqësore.
“Në Maqedoni kultivohen më së shumti kultura intensive të punës në të çilat puna e dorës vështirë se mund të zëvendësohet me mekanizim. Pagat në bujqësi po rriten çdo vit. Mirëpo, nuk mjaftojnë as rreth 200 denarë në orë, varësisht nga kultura që korret dhe forca fizike, gjegjësisht sa mund të korrë punëtori. Edhe pse në bujqësi nuk ka më ditore nën 1600 denarë, nuk ka punonjës pasi migrimi ka bërë të vetën. Për shkak të kësaj, të gjithë po kërkojnë të prodhojnë diçka që kërkon kosto më të ulëta dhe më pak punë”, thekson Ivan Vangelov, nga Federata Kombëtare e Fermerëve.
Njëherësh, Maqedonia e Veriut është ndër vendet në Evropë me normat më të larta të ekonomisë në hije, e cila i kushton thesarit të shtetit afro 700 milionë euro në vit taksa të papaguara, tregojnë analizat. Mbi 80 mijë punëtorë punojnë në sektorin informal, kryesisht në bujqësi, ndërtim dhe tregti, tregojnë analizat e Fajnens Think.
Mjeshtri 39 vjeçar Hasan B. nga Shkupi ka vite që punon në ndërtim, por në një zonë gri, që do të thotë se ai merr para për punën e tij dhe kështu i shmanget pagesës së taksave ndaj shtetit. Pa një kompani në emër të tij, ai na tha se arsyeja që operon në këtë mënyrë janë kostot e larta të mirëmbajtjes në kushte ku nuk ka të ardhura të qëndrueshme dhe të rregullta.
“Ndonjëherë fitoj edhe nga disa paga mesatare në muaj, por ndonjëherë kur nuk ka punë dhe me paratë që fitoj, mundohem të kaloj muajin”, thotë ai .
Hulumtimi i kryer në kuadër të një projekti IPA tregon se 10.5 për qind e të anketuarve ishin të përfshirë në një lloj aktiviteti të paregjistruar. Më shpesh ata ishin të angazhuar në bujqësi (18.1 për qind), punë fizike të përgjithshme (8.4 për qind), restorante (8.2 për qind) dhe ndërtimtari (7.9 për qind). Arsyeja më e zakonshme për të punuar në ekonominë joformale është mungesa e vendeve të punës të rregullta, me rreth 54.3 për qind të të anketuarve që përmendin këtë arsye. Arsyet e tjera janë natyra sezonale e punës (43.4 për qind), përfitimet ekonomike të punës informale për punëtorin dhe klientin (36.6 për qind), dhe mungesa e besimi në shtet – 26 për qind. /Koha/