Pas pushimit dimëror, nxënësit janë rikthyer sot në bankat shkollore për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor. Edhe në këtë gjysmëvjetor, nxënësit dhe profesorët akoma janë të detyruar të vazhdojnë mësimin me mungesë të librave shkollor, ndërsa edhe ata libra që janë në dispozicion, një pjesë e tyre përmbajnë gabime dhe shtrembërime të shumta. Problemet më të mëdha janë hasur në librin e historisë, gjithashtu edhe librat në gjuhën shqipe, maqedonase, angleze, biologji, kimi dhe disa të tjerë. Naser Miftari, profesor në Shkollën e Mesme “Zef Lush Marku”, tha për Televizionin Shenja se problemi me librat është shqetësim tashmë një kohë të gjatë, ndërsa përmisime nuk ka akoma.
NASER MIFTARI, PROFESOR
“Problemi me tekstet shkollore nuk daton prej fillimit të vitit por, disa vite me radhë vazhdimisht e kemi cek këtë problematikë dhe problemi nuk qëndron vetëm në drejtëshkrim por problemi është pak më i madh në pjesën didaktike, në pjesën e përmbajtjeve që i ka, sidomos, libri, teksti shkollor i lëndës së historisë. Për momentin nuk ka përmirësime dhe kështu duhet të vazhdojë deri në fund vit sipas informacioneve që I kemi nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës”.
Nxënësit po ashtu shprehin pakënaqësi për shtrembërimet dhe gabimet në përmbajtjen e librave me të cilat mësojnë.
https://youtu.be/bT1YWRHfGCc
NXËNËS
“Gjatë vitit shkollor kemi pasur probleme me disa libra, pra më së shumti kemi pasur probleme me librin e historisë sepse aty i kemi hasur disa probleme në drejtëshkrim”.
NXËNËS
“Me historinë dhe informatikën, nuk kanë qenë të shkruara mirë”.
Të shumta kanë qenë rastet ku në tekste janë hasur fjalë ofenduese dhe informata të gabuara për shqiptarët, libra me gabime skandaloze profesionale si dhe gabime drejtshkrimore dhe po me këto libra nxënësit do ta përfundojnë edhe këtë vit shkollor.
Të pyetur se çfarë është ndërmarrë për të përmirësuar këto tekste shkollore, nga Ministria e Arsimit ia hedhin fajin shtëpive botuese.
MINISTRIA E ARSIMIT
“Sipas informacionit që kemi marrë nga Shërbimi Pedagogjik, të gjitha shkollat që kanë paraqitur kërkesa në Shërbimin Pedagogjik kanë marrë libra shkollorë. Për një libër, ministri i mëparshëm ka sjell vendim që të përdoret me propozim të një botuesi të cilit tani shtëpia botuese nuk ia jep të drejtën për shpërndarje. Ekzistojnë edhe raste në të cilat librat nuk janë korigjuar me kohë gjatë vitit të kaluar, prandaj problemi zvarritet edhe sivjet”
Ministria e Arsimit thekson se ka formuar një grup pune për përgatitje të ndryshimeve ligjore lidhur me librat, me çka do vihej një standard i përgjithshëm për librat shkollor. Medina Ajeti /SHENJA/