Zgjedhja për anëtar të Këshillit Gjyqësor nga radhët e gjyqtarëve që i përkasin një komuniteti që përbën më shumë se 20 për qind të popullsisë do të zhvillohet më 29 janar të këtij viti.
Gjyqtarët në zgjedhje të drejtpërdrejta do të votojnë për njërin nga gjashtë kandidatët: Afrim Jakupu (gjyqtarë i Gjykatës së Apelit Gostivar), Sadulla Iaziri (gjyqtar i Gjykatës Themelore Tetovë), Ylber Hasani (gjyqtar i Gjykatës Themelore Civile Shkup), Hasan Asani (gjyqtar/kryetar i Gjykatës Themelore Tetovë), Xhemali Saiti (gjyqtar i Gjykatës Supreme) dhe Shpresa Grainca Osmani (gjyqtare e Gjykatës Themelore Penale Shkup).
Të drejtë vote kanë të gjithë gjyqtarët e regjistruar në Regjistrin gjyqësor zgjedhor. Votimi fillon në orën 8 dhe zgjat deri në orën 15 në qendrat e votimit në të gjitha gjykatat në vend, pas së cilës në seancë publike publikohen rezultatet.
Kryetarja e Komisionit për përgatitjen e listës së kandidatëve, gjyqtarja Danka Ristova, e cila është anëtare e Këshillit Gjyqësor, në seancën e sotme të Këshillit, informoi se deri te Komisioni kanë mbërritur shtatë aplikimie, të cilat kanë qenë në kohë dhe të kompletuara, dhe të gjitha janë vlerësuar pozitivisht, por gjyqtari Nexhat Memeti, nga Gjykata Themelore Kumanovë, me parashtresë me shkrim e ka tërhequr aplikimin.
Për kryetar të Komisionit për zbatimin e zgjedhjes, Këshillit Gjyqësor e ka zgjedhur gjyqtarin Osman Shabani, nga Gjykata e Apelit Shkup, ndërsa për zëvendës të tij gjyqtarin nga Gjykata Themelore Penale Shkup, Ilija Tërpkov.
Shpalljen për zgjedhje të një anëtarit të Këshillit nga radhët e gjyqtarëve që i përkasin një komuniteti që përbën më shumë se 20 për qind të popullsisë, Këshilli Gjyqësor e publikoi më 20 nëntor të vitit 2025.
Zgjedhja është në vendin e gjyqtarit Hanif Zendeli nga Gjykata e Apelit Gostivar, mandati gjashtëvjeçar i të cilit po skadon. Zendeli për anëtar të Këshillit Gjyqësor nga radhët e gjyqtarëve që i përkasin një komuniteti që përbën më shumë se 20 për qind të popullsisë, u zgjodh më 22 janar 2020.
Këshilli Gjyqësor përbëhet nga 15 anëtarë, tetë prej të cilëve zgjidhen nga radhët e gjyqtarëve, tre zgjidhen nga Kuvendi dhe dy anëtarë propozohen nga Presidenti i vendit. Anëtar pa të drejtë vote janë edhe kryetari i Gjykatës Supreme dhe Ministri i Drejtësisë. Ata zgjidhen për një mandat prej gjashtë vitesh, me të drejtë rizgjedhjeje edhe një herë.


