Kryetari i Gjykatës administrative në Shkup, Burim Sejdini po u hakmerret gjykatësve të padëgjueshëm të kësaj gjykate duke i degraduar në detyrë për shkak se kanë qenë të padëgjueshëm, akuzojnë gjyqtarët e kësaj gjykate, të cilët dëshirojnë të mbeten anonim, raporton Almakos.
Ata akuzojnë kryetarin Sejdini, se në orarin e ri për vitin 2018 gjyqtarët që kanë aprovuar ankesën e kompanisë gjermane për dhëninen me koncesion të deponisë “Drislla” dhe ata që kanë miratuar një ankesë të Lëvizjes Besa për zgjedhjet lokale në Çair të Shkupit, janë vendosur nëpër këshilla gjyqësorë që vendosin për çështje të dorës së dytë.
Gjykatësit pohojnë se në kohën kur kanë vendosur për këto dy ankesa, kryetari Sejdini, ka ushtruar trysni të fuqishme për të refuzuar ankesat e kompanisë gjermane dhe të Lëvizjes Besa. Në vend të gjykatësve të ndëshkuar, burimet tona theksojnë se Sejdini, ka vendosur gjykatës të dëgjueshëm, siç është rasti i gjykatësit Gazmend Fejzullau, i cili ka qenë i dyshuar nga Prokuroria Speciale.
Ato dyshojnë se në Gjykatën Administrative ka pasur raste drastike të keqpërdorimit të sistemit elektronik për shpërndarjen e lëndeve, të ashtuquajtur, AKMIS, ashtu siç janë konstatuar edhe keqpërdorimet për gjykatën Themelore, të Apelit dhe atë Supreme. Sipas tyre është e çuditshme pse Ministria e Drejtësisë deri tani nuk ka kërkuar të kontrollohet zbatimi i këtij sistemi edhe në Gjykatën Administrative.
Kryetari i Gjykatës Administrative, Burim Sejdini, i ka mohuar të gjitha akuzat dhe i ka cilësuar ato si përpjekje për të njollosur figurën e tij.
“Pretendimet për presion janë të paqësndrueshme pasi që në rast se do të kisha bërë presion, gjykatësit do të mundeshin që paraprakisht të dorëzonin parashtresat e nevojshme se është ushtruar presion”- thotë Sejdini.
Ai poashtu mohon të ketë ndëshkuar gjykatësit duke vendosur ato në sektor më pak të rëndësishëm të gjykatës. Sipas tij, orar të përkryer nuk ka, por bënë çmos për të lehtësuar punën e gjykatësve dhe të krijojë kushte sa më të mira për punë.
“Pretendimet se kam ndëshkuar dikënd, nuk qëndrojnë. Kolegët e mi nuk munden dhe nuk duhet të shprehin ndëgjueshmëri, siç pretendoni ju”- shton ai.
Vedosjen e gjykatësit Gazmend Fejzullahu në dy këshilla shumë të rëndësishëm, pavarësisht se emri i tij përmendej mes të dyshuarve të Prokurorisë Speciale, Sejdini e shpjegion me mungesën e gjykatësve dhe thotë se akuzat ndaj kolegut të tij u hodhën poshtë nga gjykata.
“Ai është anëtar i njërit këshill dhe për arsye se nuk kemi numër të mjaftueshëm të gjykatësve, duhet ta vendosim në këshillin tjetër që të marrë pjesë në gjykim, sepse këtu gjykimet zhvillohen me deri në tre gjykatës. Në të parin vetëm gjykon lëndët, në tjetrin merr pjesë në gjykim pa gjykuar lëndë“- sqaron Sejdini.
Lidhur me akuzat se ai është i afërt me Ali Ahmetin dhe Musa Xhaferrin, Sejdini thotë se është e vërtet se ata vijnë nga i njejti vend, janë rritur bashkë dhe kanë zhvilluar karriera në pozcione të ndryshme.
“Nuk ka njeri në këtë vend që nuk mund t’i krijosh një link se është i afërt me këtë ose me atë”- sqaron ai.
Përgatiti: Evi Shkopi
Montimi: Evi Shkopi
Kameraman: Dejan Nedelkovski
Almakos.com