Një nga të pandehurit e dosjes së bujshme “Plumbi i artë”, Henrik Hoxhaj, që cilësohet edhe si ushtari i grupit të vrasësve me pagesë të të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani (të dy foto poshtë), ka rrëfyer sot në Gjykatën e Posaçme edhe për porosinë e vrasjes së Sokol Sanxhaktarit, dhëndrit të ish-kryebashkiakut të ndjerë të Elbasanit, Qazim Sejdini.
“Ndërsa po përgatitesha për vrasjen e vëllezërve Haxhia, diskutuam me Nuredin Dumanin për një punë tjetër. Ai fliste në telefon gjithë kohën. Kishte ditëlindjen atë dite. Nuk e di me kë. Më tha për Sokol Sanxhaktarin (foto kryesore bashkë me Hoxhajn)”, dëshmoi i akuzuari teksa pyetej nga prokurorët e SPAK për rrethanat dhe dinamikën.
Prokurori e pyeti se “kush ishte i interesuar për të goditur Sokol Sanxhaktarin?”.
Hoxhaj u përgjigj se:
“Unë kam marrë një ofertë, tha Nuredin Dumani, për Sokol Sanxhaktarin. Më tha se do bënim takim. Jepeshin 200 mijë euro. Më pyeti nëse isha i interesuar. Por mbeti këtu, nuk u bë më shumë muhabet. Nuk më tha kush ishte investitori. Nuk më është përmendur Suel Çela. Më tha se është dhëndri i kryetarit të Bashkisë së Elbasanit. Nuk më tha pse, o prokuror. Nuk mbaj mend të jetë përmendur më”.
“Një Bledar Muça, a ju ka thënë ndonjë gjë Nuredini?”, vijoi ta pyeste përfaqësuesi i akuzës.
Henrik Hoxhaj tha me formë mohuese:
“Jo. Nuk kam qenë i interesuar. Nuk u morëm më me Sokolin, se u morëm me atë çfarë ishim aty. Ditën e arrestimit të Sokolit nuk e di a kam biseduar apo jo, se nuk më ka interesuar.
Prokurori e pyeti edhe në lidhje me një detaj tjetër:
“Në 30 korrik 2020, kur Sokol Sanxhaktari vrau Florian Lamçen, Nuredini të ka shkruar ty: “Na humbën 200 mijë euro”, tha ai.
Hoxhaj e pohoi, duke shpjeguar se shkak ishte mosmbarimi i punës së eliminimit të Sanxhaktarit, sepse u arrestua për vrasjen e ndodhur:
“Po, se nuk u mbarua puna, pra…”, tha ai.


