Të akuzuarit në rastin e Kumanovës kanë kontestuar vërtetësinë e disa prej bisedave telefonike të prezantuara gjatë seancës së sotme gjyqësore dhe kanë thënë se zëri i tyre nuk dëgjohet në to. Bëhet fjalë për rreth 20 biseda telefonike që sipas Prokurorisë janë zhvilluar mëngjesin e 9 majit. Disa nga të akuzuarit kanë reaguar gjatë seancës duke thënë se ata nuk janë të përfshirë në këto biseda pavarësisht pretendimeve të prokurorisë. Avokati Naser Raufi, tha se zërat që dëgjohen janë të disa personave tjerë dhe jo të personave të akuzuar në rastin “Lagja e Trimave”
“Kemi më shumë se 15 – 20 telefonata ku reagojnë vetë të akuzuarit ku thonë se nuk janë ata personat që ceken nga ana e këshillit të gjykatës. Këto reagime janë të qarta pasi që çdo i akuzuar e njeh zërin e vet por edhe ne si palë mbrojtëse si edhe trupi gjyqësorë jemi në dije për këtë. Është evidente që bëhet fjalë për persona tjerë dhe jo për ata që ceken me emër dhe mbiemër nga kryetar i trupit gjyqësor” , tha Naser Raufi, avokat.
https://www.youtube.com/watch?v=fxBXrA8ipdg
**********
Dhuna ndaj grupit të Kumanovës, Osmani: Gjykatat bëjnë krim të organizuar
Për më tepër se një vit prej kur ka filluar seanca e parë për “Lagjen e Trimave”, dhuna e policisë ndaj pjesëtarëve të grupit të Kumanovës nuk ka ndaluar. Megjithatë, deri më tani asnjë rast nuk është zbardhur, pavarësisht disa iniciativave nga mbrojtja dhe Avokati i Popullit. Prokuroria Publike me muaj të tërë jep përgjigje të njëjtë, se janë grumbulluar dëshmi dhe se po hetohen rastet e denoncuara. Ky veprim i Prokurorisë Publike, Gjykatës dhe policisë, sipas juristit Osman Kadriu është krim institucional i organizuar.
“Ata pengojnë me qëllim, me tendencë dhe prapavijë konkrete, në forma kundër ligjore dhe kundër juridike, me qëllim që të mos ketë procedimin të këtyre lëndëve. Krimi vazhdon. Kemi krim të organizuar. Për fatkeqësi edhe më të madhe edhe për shtetin dhe qytetarët, vepra penale që ushtrohen nga persona zyrtare”, tha Osman Kadriu, Jurist.
Kadriu hedh dyshimet se pas keqtrajtimeve të një pas njëshme dhe mos reagimeve të institucioneve në drejtim zbardhjen e keqpërdorimit të kompetencave nga ana e pjesëtarëve të policisë, qëndron ideja e pushtetit për të detyruar të akuzuarit të pranojnë fajin dhe me këtë të përfundojë procesi gjyqësor.
“Me këto veprime që i ndërmerr policia, pjesëtarët e saj, pra ndikojnë tek të akuzuarit në mbrojtjen e tyre që ato faktikisht të deklarohen ose pranojnë ndonjë vepër për të cilën nuk ka elemente. Në një mënyrë imponohet një deklarim i dhunshëm”, u shpreh Osman Kadriu, Jurist.
Avokati i popullit është i pafuqishëm në këtë rast. Sipas Ixhet Memetit, Prokuroria më shumë i beson policëve se sa denoncimeve me dëshmi relevante.
“Prokuroria Publike më shumë besim ka në deklaratat e policëve dhe neve na informon se është në rregull, respekt për dëshmitë që i siguroni, megjithatë policët kanë deklaruar se nuk kanë ushtruar dhunë”, tha Ixhet Memeti, Avokat i Popullit.
Për një vit, janë torturuar rreth 37 pjesëtarë të grupit të Kumanovës. Dhuna në disa raste ka ndikuar edhe në mbarëvajtjen e seancave gjyqësore. Më së tepërmi dhunë është ushtruar gjatë transportit kur të akuzuarit janë dërguar nga burgu në gjykatë dhe anasjelltas.