Pak pasi u legjitimua nga GJKKO si avokat i kryebashkiakut Erion Veliaj, i pandehur në dosjen e SPAK me 29 persona të tjerë nën akuzë, avokati Plarent Ndreca, ish-deputet i PS, dha një deklaratë sot (24 mars) në dalje të godinës së drejtësisë.
Ai tha se kryebashkiakut në shkelje të procedurës i janë dërguar aktet në qeli dhe sot e kësaj dite nuk janë marrë sipas procedurës. Kjo sagë sipas tij u krijua nga SPAK dhe ende nuk është zgjidhur, teksa kërkoi edhe të zbardhet inventari nëse ekziston.
Ai theksoi se kryebashkiaku ende nuk i ka marrë këto akte sipas ligjit, në dhomën e dorëzimit dhe jo në qeli, e për më tepër ia kanë dërguar pa u asistuar nga avokati mbrojtës.
“Ia kanë çuar aktet në qeli zotit Veliaj dhe ne ende nuk i kemi marrë aktet sipas procedurës. Një gjë e tillë nuk është bërë dhe ka prodhuar reaksion nga zoti Veliaj. Aktet i kanë shkuar në qeli dhe jo në dhomën ku bëhen procedurat. Kjo ka sjellë reagimin, nuk janë kryer procedurat sipas aktit. U është thënë ose i merrni kështu, ose ndryshe nuk i merrni. Edhe sot në Gjykatë kjo nuk u zgjodh edhe pse u kërkua, unë nuk di se si do veprohet tani për t’u dorëzuar. Saga është në dëm të zotit Veliaj, është krijuar nga prokuroria e jo zoti Veliaj, pora në dëm të tij e qytetarëve. Ka të drejta sipas Gjykatës së të Drejtave të Njeriut dhe Konventave. Do pres si do e menaxhojë më tej prokuroria këtë çështje, ne jemi aty për të marrë aktet dhe kjo është sipas mbrojtjes efektive. Ka një inventar dhe ky nuk është bërë i ditur. Paska inventar po ne nuk e dimë, le ta chek-ojnë, ne këtë kërkojmë, inventarizimin, qoftë në prokurori apo me prokurorinë”, tha ish-deputeti që mbron zyrtarin e lartë socialist.
Ndreca shpjegoi se procesverbali që kanë bërë oficerët gjyqësorë kur kanë dorëzuar aktet në qeli ishte i njëanshëm dhe kërkoi të ndiqej procedura ligjore, sipas standardeve evropiane.
“Procesverbal i njëanshëm, i palës që përfaqëson akuzën. Kanë shkuar pa njoftim të avokatit të Veliajt dhe më tepër në qeli, ku nuk lejohet të shkoj askush as oficerët gjyqësore, nuk ka njoftim as të Veliajt dhe as të avokatit. Avokati asiston kudo te klienti, sidomos për aktet dhe natyrën e tyre dhe në këto rrethana ka të drejtë i pandehuri të mbrohet, është detyrë. Procesverbali është i njëanshëm, u dërgua në qeli dhe pa prezencën e avokatit”, shtoi ai.
Në fund, mbrojtësi ligjor i ri i grupit të avokatëve të kryebashkiakut Veliaj, u shpreh se Gjykata dhe prokuroria kanë për detyrë të garantojnë proces të rregullt ligjor.
“Gjykata dhe prokuroria kanë për detyrë të garantojnë proces të rregullt ligjor dhe jo proces të shpejtë ligjor. E kanë për detyrë që ta garantojnë këtë proces, është e drejtë e të pandehurit”, tha Ndreca.


