Ka nisur sot (29 prill) një nga proceset e bujshme gjyqësore për dosjen “Revanshi” dhe konkretisht për një nga fraksionet e operacionit.
Të pandehur janë Aldo Avdyli, Edson Jozwik, Henerigert Mitri, Marklen Haka, Altin Morina, Jozi Kraja, Durim Bami, Oltion Zefi.
Në sallë i pranishëm ishte vetëm i pandehuri Jozi Kraja, teksa ky i fundit i qëndron kërkesës për zhvillimin e procesit me gjykim të shkurtuar. Për këtë shkak, kur u pa mungesa e të tjerëve, GJKKO pasi dëgjoi palët, shtyu afatet e paraburgimit për të pandehurit duke pranuar kërkesën e SPAK dhe shtyu seancën për në datën 6 maj.
Gjithashtu GJKKO urdhëroi që të pandehurit seancën e radhës të shoqëroheshin me polici.
Aldo Avdyli ka paraqitur deklaratë që të përfaqësohet nga avokati Dritan Jahja, i cili nuk ishte i pranishëm. Oltion Zefi gjithashtu nuk ishte i pranishëm, sikurse edhe avokati i tij Elis Bilali. Henerigert Mitri nuk mori pjesë në seancë, por i pranishëm ishte avokati i tij Ardian Leka. Mariglen (Marklen) Haka (foto poshtë me Durim Bamin), mungonte dhe përfaqësohej nga avokati i tij Erjon Kullolli.
Altin Mornia nuk ishte i pranishëm e gjithashtu mungoi avokati i tij për arsye shëndetësore. Edhe Durim Bami nuk u paraqit në seancë, teksa u përfaqësua nga avokati Ilir Murati, i cili i qëndroi gjykimit të shkurtuar.
Gjergj Mihasi, babi i Erigers Mihasit, i thirrur në cilësinë e viktimës së veprës penale, kërkoi që të mos marrë më pjesë në seanca për shkak të problemeve shëndetësore dhe tha se “kishte besim tek vendimi i gjykatës”.
SPAK në kushtet kur mungonin disa të pandehur dhe mbrojtësit e tyre, kërkoi që të shtyhet kjo seancë gjyqësore dhe të konsiderohen të njoftuar të gjitha viktimat e veprës penale, pasi janë ezauruar rrugët ligjore për njoftim.
“Kërkojmë të pezullohen afate e paraburgimit”, tha prokurori.
Gjykata urdhëroi në fund që të bëhet shoqërimi i personave të dyshuar që janë të arrestuar.
Po ashtu pezulloi edhe afatet e paraburgimit për të arrestuarit. Seanca e ardhshme u la për në datën 6 maj, ora 11:00.


