Për sot në Gjykatën penale janë caktuar gjykime për lëndët e Prokurorisë speciale publike “Trajektorja” dhe “Transporter”.
Në rastin “Trajektorja” janë akuzuar ish kryeministri Nikolla Gruevski, ish zëvendëskryeministri Vlladimir Peshevski, ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakievski dhe ish drejtori i Agjencisë për rrugë shtetërore, Lupço Georgievski.
Ata dyshohen se në gjysmën e dytë të vitit 2012 dhe gjatë vitit 2013 kanë ndërmarrë më shumë veprime me të cilat në procedurën për zgjedhje të kompanisë për ndërtimin e autostradave Milladinovci – Shtip dhe Kërçovë – Ohër i kanë shfrytëzuar dhe tejkaluar autorizimet e tyre. Me këtë, sipas PSP-së, i kanë shkaktuar dëm buxhetit shtetëror për të paktën 155 milionë euro dhe për vlerën e njëjtë kompanisë realizues i kanë mundësuar të përfitohet me dobi pronësore.
Në lëndën “Transporter” janë akuzuar ish kryetari i komunës së Manastirit Vlladimir Talevski dhe rreth 20 persona për keqpërdorim të pozitës zyrtare lidhur me organizimin e transportit të nxënësve në Manastir, me çka është bërë përvetësim të rreth 360.000 eurove.
Në seancën e fundit, gjykatësja Dobrilla Kacarska, e cila e ka ndërmarrë lëndën nga Lidija Petrovska, tha se për shkak të ankesës, kolegia e saj Petrovska e ka dhënë lëndën deri te Gjykata e Apelit dhe se ende nuk është kthyer. Ajo shtoi se nuk dihet se për çfarë ankese bëhet fjalë, për çka dhe nga kush u parashtrua.