Gjykatësja Lidija Petrovska nga Gjykata Themelore Penale Shkup, për të cilën gjyqësori në kohën e Nikolla Gruevskit dhe Sasho Mijalkovit u quajt “gjyqësori Swarovski” si sinonim për përzgjedhje të gjyqtarëve nga lista partiake, është promovuar si gjyqtare për krim të organizuar dhe korrupsion. Ajo, në fakt, është kthyer në Departamentin për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, nga ku në vitin 2017 ishte transferuar në Departamentin për krim të të rriturve.
Petrovskën, rreth dhjetë ditë më parë, e ka promovuar ushtruesja e re e detyrës së kryetares së Gjykatës Penale, Daniela Dimovska, e cila u zgjodh nga Këshilli Gjyqësor më 3 korrik.
Petrovska vjen në vendin e Dimovskës, e cila kishte nisur çështjen e madhe të korrupsionit të quajtur “Aditivi”, me 37 të akuzuar për keqpërdorim në furnizimin e aditivëve në vlerë mbi 6 milionë euro për REK “Bitola”. Gjyqi tani fillon nga e para, për shkak të ndërrimit Dimovska–Petrovska. Ajo gjithashtu merr përsipër edhe çështjet e tjera të Dimovskës.
Pas ngritjes së aktakuzave nga ish-Prokuroria Speciale Publike (PSP), rastësisht apo jo, çështjet më të rëndësishme i binin për gjykim Petrovskës. Këto ishin proceset gjyqësore për “Kalaja 2”, “Tanku”, “Transportuesi”, “Trista” dhe të tjera. Më 17 janar 2017, në gjykimin për “Kalaja 2”, pasi nuk u lejoi gazetarëve të filmonin të akuzuarin – shefin e atëhershëm të Departamentit të Pestë në MPB, tashmë të arratisurin Goran Grujevski – Petrovksa më pas i largoi edhe nga salla e gjyqit.
Vetëm për të mos filluar gjykimin, Petrovska kërkoi deklasifikimin e provave të PSP-së kundër shefit të akuzuar. Dhe kështu, erdhi vera dhe Goran Grujevski së bashku me të bashkëakuzuarin Nikola Boshkovski u arratisën në Greqi dhe që atëherë nuk janë kthyer më.
Petrovska u përmend nga Sofija Laliçiq në një bisedë me atëherë-drejtorin e DSK-së, Sasho Mijalkov, kur ai i tregonte se cilat gjyqtare, përveç saj, i kishte “rregulluar” për t’i përzgjedhur Këshilli Gjyqësor i atëhershëm.
Nga ajo bisedë doli fraza “gjyqësori Swarovski”, e cila u bë sinonim për mosfunksionimin e shtetit juridik në Maqedoni.
Ja një fragment nga transkripti i bisedës së përgjuar mes Sasho Mijalkovit (SM) dhe Sofija Laliçiq (SL) nga të ashtuquajturat “bomba”, ku përmendet edhe gjyqtarja Lidija Petrovska:
SL: Si!? Mirë. Po desha të të pyesja… Po të tjerat që i keni rregulluar?
SM: Edhe një tjetër ajo nga KGJ (Këshilli Gjyqësor), si quhej?
SL: Lidija Tupançevska, po tallesh?
SM: Jo, Petrovska more, jo Tupançevska.
SL: Tupançevska është mbiemri i vajzërisë, është kushërirë e Tupançevskit.
SM: A?
SL: Mbiemri i vajzërisë i ka Tupançevska, Petrovska është nga burri.
SM: Aha. Po ajo çfarë është, si është?
SL: Është kushërirë e Tupançevskit. Domethënë, e fitoi nga Lidija, dhe e fitoi. Gjithë “Swarovski”-n ja bleu dhe e fitoi.
SM: Ajo e propozoi këtë, por nëse nuk shkon, mund ta heq unë.
SL: Ajo i bënte dhurata “Swarovski” Lidijës çdo ditë. Dhe e bleu Lidijën me dhurata… Të kam thënë për Tupançevskën para një viti, apo jo?
SM: Mirë, nuk ka problem edhe nëse është kushërira e tij. Edhe unë kam kushërinj që s’i njoh fare.
SL: Po mirë, tjetër?
SM: Ka vetëm tre vende.
SL: E pra, i treti është i lirë deri të hënën.
SL: Çfarë flet, more?
SM: Si është ajo, më trego?
SL: Është kushërira e Tupançevskit. Kam marrëdhënie shumë korrekte me të, është e sjellshme. Por shumë lëpihet, është artificiale. Më sillte dhurata, shërbime kozmetike falas që të më blinte për këtë punë…
SM: Po do ta thërras nesër te unë, do e shoh. Nuk kalon kështu kjo punë.
SL: S’e ke idenë çfarë lëpirëse është. Më sillte kupona për kozmetike që të më blinte për këtë.
SM: Ajo nesër do të kthehet mbrapa, apo jo?
SL: Ajo? Si të të them… për Vikin, motrën e Zhane Belovës, nuk e përfunduat punën?
Petrovska nuk ka ngritur kurrë padi për shpifje ndaj Laliçiqit, as ka kërkuar ndonjëherë falje publike nga ajo.