Alsat 2019-10-30T14:49:07+01:00
Të zgjerohet rrjeti i monitorimit të stacioneve matëse edhe në periferi të qyteteve dhe të unifikohen stacionet. Në këtë mënyrë do të sigurohen informacione më reale mbi ndotjen e ajrit, kërkojnë nga sektori civil. Në këtë mënyrë do të zbuloheshin ndotësit e vërtetë në një rajon të caktuar, por edhe në nivel kombëtar.
Supozime janë se familjet, respektivisht ngrohja e ndërtesave individuale të banimit është ndotës kryesorë, por këto janë vetëm supozime. Ne kemi nevojë për prova të prekshme se kjo është kështu, në mënyrë që të mund mbi atë bazë të ndërtohen zgjidhjet e duhura – theksoi Kiril Ristoski, drejtor i Qendrës për Demokraci të Mjedisit Jetësor.
Shumica e stacioneve matëse nuk janë as të unifikuara, disa ofrojnë të dhëna të plota, disa të përgjysmuara, të shpërndara në më shumë lokacione dhe nuk mund të japin një pasqyrë të përgjithshme të burimeve të ndotjes, theksojnë ambientalistët.
Kjo tregon se institucioneve u mungon kapaciteti financiar dhe njerëzor. Nuk do të thotë që institucionet nuk mund të bëjnë diçka, por u mungojnë burimet për të punuar. Kjo mungesë çon në vendime të këqija të menaxhimit të mjedisit jetësor dhe mungesë të një informacioni për vetë qytetarët – tha Evgenija Krstevska, avokate.
Disa ekspertë të huaj të mjedisit thonë se vendi duhet të përqendrohet në menaxhimin e mbeturinave të forta si një nga burimet e ndotjes.
Serioziteti i ndotjes në Maqedoni është i madh dhe mendoj se anëtarësimi në BE nuk do ta zgjidhë atë shpejtë. Të jesh anëtar i BE-së do të thotë të ndryshosh legjislacionin, por gjithashtu të harmonizohet me atë evropiane që është më e ndjeshme ndaj çështjeve mjedisore – u shpreh Çaba Kish, ekspert nga Hungaria.
Këto komente dhe opinione mund të dëgjoheshin në debatin e sotëm në Ohër, ku rreth njëzet gjykatës dhe prokurorë publik debatuan se si t’u përgjigjen situatave kur merren me lëndët mjedisore.
Miki Trajkovski
Loading…




