Këshilli Gjyqësor kërkon takim urgjent me ministrin e Drejtësisë, ministrin e Financave dhe me drejtorin e Drejtorisë për shqiptimin e sanksioneve që të evitohet shkatërrimi i gjyqësorit. Për këtë gjendje ekzistojnë dy arsye. Gjykatësit kërcënohetnme grevë për shkak të honorarëve të ulëta dhe të papaguara, që nënkupton numër më të madh të anulimeve të lëndëve gjyqësore. Në ndërkohë, po grumbullohen lëndët e anuluara pasi burgjet shpesh nuk i dërgojnë të arrestuarit dhe të dënuarit në gjykimet e caktuara.
Për momentin urgjente është puna që të paguhen këto 500 denarë që i kërkojnë gjykatësit e porotës, kjo duhet t’i tregohet edhe ministrit të drejtësisë se çështja është serioze, se do të hidhen në grevë, do të kemi anulime dhe dihet çfarë pasoja do të ketë – deklaroi Bekir Shahini, anëtar i Këshillit Gjyqësor.
Assesi nuk mund të arsyetohet kjo sjellje, secili ia hedh përgjegjësinë secilit. Burgjet thonë se nuk jemi mjaftueshëm të trajnuar, nuk kemi automjete për t’i dërguar, se nuk kemi karburant të mjaftueshëm e kështu me radhë. Kryetarë, për këtë patjetër të njoftohet kryeministri – tha Vllatko Samargjiski, anëtar i Këshillit Gjyqësor.
Anëtarët e këshillit gjyqësor ishin të njëzëri se do të kërkojnë që qeveria të kujdeset që burgjet të kenë pajisje, automjete dhe kuadër të trajnuar. Të gjithë u pajtuan se bëhet fjalë për probleme tashmë të njohura me vite. I pyetur se pse reagojnë pikërisht tani, kryetari i këshillit gjyqësor, Zoran Karaxhovski shpjegoi se në disa raste çështjet janë zgjidhur në nivel më të ulët.
Nuk është e saktë se kemi pritur, nëse më dëgjuat mirë, ne nuk presim as në vitet e fundit, edhe kur unë nuk isha as në këshillin gjyqësor, kemi alarmuar, kemi kërkuar zgjidhje por kohëve të fundit nuk mund të gjendet zgjidhje – deklaroi Zoran Karaxhovski, kryetar i Këshillit Gjyqësor.
Problemi me gjykatësit e porotës u paraqit në dy vitet e fundit pasi ndryshuan kushtet e emërimit të tyre. Më herët ata mund të ishin pensionistë edhe me arsim të mesëm, ndërsa tani kandidatët nuk guxojnë të jenë pensionistë, ndërsa duhet të kenë arsim të lartë. Mëditja e gjykatësit të porotës për gjykim nuk ka ndryshuar, mëditja më e ulët është 125 denarë, ndërsa më e larta 250 denarë. Sa i përket eskortave, gjykatat dhe burgjet para disa viteve arritën marrëveshje për ditët ku do të caktojnë gjykime ku ka të arrestuar dhe të burgosur. Edhe krahas rrethanës lehtësuese, burgjet shpesh nuk kanë kapacitet as për transport grupor.
Alsat-M

