Gjykata Supreme vlerëson se Gjykatat Themelore dhe të Apelit kanë shkelur ligje të ndryshme kur kanë vendosur për ta dërguar në paraburgim Sead Koçanin, prandaj këtë vendim e kanë kthyer prapa në rishqyrtim tek Këshilli penal i gjykatës Themelore.
Gjykatësit që do të vendosin për paraburgimin janë tërësisht të ndryshëm nga ata të parët që vendosën paraburgimin. Tani vendimin do ta marrin Sofija Laliçiq, Lubinka Bashevska dhe Monika Bahçovanovska që u vendosën në Këshillin Penal të themelores nga kreu i Supremes Jovo Vangellovski. Këto gjykatëse në opinion morën kualifikimin si të afërta me VMRO DPMNE-në pas publikimit të disa bombave të opozitës për kurdisjen e emërimeve të prokurorëve dhe gjykatësve. Laliçiq ndihet si prokurorja më e re që është emëruar, me shumë pak përvojë dhe vetëm 28 vjet, ndërsa Bashevska është gjykatësja e rastit “Puç” e cila vazhdimisht hynte në konflikt me Katica Janevën dhe Lençe Ristovskën. Janeva nervozohej me prolongimet e paarsyeshme të gjykimit ndërsa Bashevska vetëm e kërcënonte me gjoba.
Sead Koçan thuhet se është kthyer në Maqedoni, i lirë, por pa para pasi që llogaritë bankare i ka të bllokuara. Po bëhet tentativë për ta shpallur si të sëmurë rëndë, për të mos e dërguar në paraburgim.
Koçanit iu shfuqizua paraburgimi pas kërkesës së Marko Zvrlevskit. Para se të merrej ky vendim, kishte tentativa për tia hequr të drejtën e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë Prokurorisë Speciale, dhe kjo e drejtë ti mbetet vetëm Zvrlevskit, por pas shumë presioneve mediatike, Jovo Vangellovski dhe gjykatësit e tjerë të Supremes vendosën që Prokuroria e Katica Janevës të ketë të drejtë ankese vetëm në rastet e veta, ndërsa Marko Zvrlevski edhe për rastet e Prokurorisë së tij, edhe për rastet e Speciales. Ky ekskluzivitet erdhi në shprehje pikërisht tani kur kërkesa e Zvrlevskit kundër një propozimi të Speciales u realizua.

