Gjykata Supreme e Kosovës e konsideron ndërhyrje të papranueshme në pavarësinë e gjyqësorit reagimin e Qeverisë në detyrë, pas shfuqizimit të Udhëzimit Administrativ për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronikë Fiskalë.
Sipas Gjykatës, reagimi i Qeverisë në detyrë përbën jo vetëm një keqinterpretim të natyrës së vendimmarrjes gjyqësore, por edhe një tentativë për të vënë në pikëpyetje autoritetin e gjyqësorit.
Në një komunikatë për media, Gjykata Supreme thekson se të gjitha institucionet, përfshirë Qeverinë, janë të obliguara ta respektojnë pavarësinë e gjyqësorit si një nga themelet e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës dhe, si të tilla, duhet të tregojnë përkushtim në zbatimin e këtij parimi.
“Gjykata Supreme, si zbatuese e ligjit, edhe në rastin konkret, ka garantuar që akti nënligjor të jetë në përputhje me normat juridike që rregullojnë mënyrën dhe kohën e miratimit të tyre. Çdo përpjekje për ta vënë në pikëpyetje autoritetin e Gjykatës dhe legjitimitetin e vendimeve të saj, përmes deklaratave politike, cenon pavarësinë e gjyqësorit dhe dëmton besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Gjykata Supreme pret, në radhë të parë, që institucionet shtetërore të tregojnë gatishmëri për zbatimin e vendimeve gjyqësore, si kusht i funksionimit të shtetit ligjor. Gjykata Supreme do të vazhdojë të ushtrojë funksionin e saj në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar, duke garantuar zbatimin e ligjit,” thuhet më tej në komunikatën për media.
Qeveria në detyrë, pas vendimit të Gjykatës Supreme për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ për arkat fiskale, e ka cilësuar atë si arbitrar dhe si një interpretim të njëanshëm të dispozitave ligjore.
Në aktgjykimin e Gjykatës Supreme thuhet se ministrat, të cilët janë edhe deputetë, nuk mund të nxjerrin akte nënligjore, pasi kjo bie ndesh me dispozitat kushtetuese.