Gjykata Kushtetuese shprehu tronditjen e thellë për aktin kriminal të pasdites së sotme, që i mori jetën në krye të detyrës gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Astrit Kalaja, duke i përcjellë edhe ngushëllime familjes së magjistratit.
Me një deklaratë zyrtare në reagim, institucioni nënvizon se përgjegjësia për sigurinë institucionale dhe fizike, për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe njerëzve të drejtësisë, është e shtetit.
Kushtetuesja kërkon masa të menjëhershme, duke u shprehur të vendosur në misionin e tyre për drejtësi ndaj qytetarëve.
“Ky akt i rëndë përbën një sulm të drejtpërdrejtë jo vetëm për individin, por edhe për vetë parimet e drejtësisë dhe shtetin e së drejtës. Gjykata Kushtetuese vlerëson se mbrojtja e së drejtës së jetës, sigurisë fizike dhe institucionale te gjyqtarëve, qytetarëve që kërkojnë drejtësi ne këto gjykata dhe e publikut të zakonshëm është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë e shtetit, që kërkon veprim të menjëhershëm, të vendosur dhe të qëndrueshëm”, theksohet mes të tjerash ën deklaratën e lëshuar sot.
Në fund shpreh vendosmërinë për të vijuar misionin e mbrojtjes së dinjitetit të gjyqësorit.
Deklarata e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë:
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë shpreh tronditjen dhe dhimbjen më të thellë për ngjarjen tragjike që solli humbjen e jetës së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Astrit Kalaja.
Gjykata përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët e tij, duke nderuar kujtimin e një magjistrati që i ka shërbyer me përkushtim e dinjitet drejtësisë.
Ky akt i rëndë përbën një sulm të drejtpërdrejtë jo vetëm për individin, por edhe për vete parimet e drejtësisë dhe shtetin e së drejtës.
Gjykata Kushtetuese vlerëson se mbrojtja e së drejtës së jetës, sigurisë fizike dhe institucionale te gjyqtarëve, qytetarëve që kërkojnë drejtësi ne këto gjykata dhe e publikut të zakonshëm është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë e shtetit, që kërkon veprim të menjëhershëm, të vendosur dhe të qëndrueshëm. Mbrojtja e gjyqtarëve është mbrojtje e vetë drejtësisë, e pavarësisë së saj dhe e besimit të publikut tek institucionet shtetërore.
Në këto momente të dhimbshme, Gjykata Kushtetuese qëndron pranë familjes së të ndjerit, kolegëve të tij dhe të gjithë atyre që po përballen me këtë humbje, duke riafirmuar vendosmërinë për të mbrojtur dinjitetin e gjyqësorit si shtyllë themelore e rendit kushtetues. Gjykata Kushtetuese uron gjithashtu shërim të shpejtë për dy qytetarët e plagosur”.