Presidenti Ilir Meta ka komentuar sot funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, fill pas betimit të anëtarit të gjashtë të saj, Përparim Kalo.
Në një prononcim për mediat nga qyteti i Elbasanit, Meta tha se duhet ende punë që gjykata të jetë plotësisht funksionale, dhe se për të mbetet një çështje thelbësore.
Kreu i shtetit theksoi se ka bërë çdo përpjekje të mundshme por sipas tij, procesi u bllokua disa herë nga mazhoranca, me qëllimin për ta kapur këtë institucion.
Më tej presidenti përmendi edhe përplasjen e disa kohëve më parë me ish-kreun e KED, Ardian Dvorani, dhe Parlamentin. Ai tha se Komisioni i Venecias foli qartë lidhur me këtë debat, ndërsa shtoi se ajo situatë s’mund të krahasohet me këtë të sotmen.
“Mendoj se Gjykata Kushtetuese ka qenë dhe duhet të jetë investimi më i rëndësishëm. Presidenti ka bërë çdo përpjekje që Shqipëria të mos mbetej pa Gjykatë Kushtetuese. Por ka ende punë për ta bërë plotësisht funksionale. Për presidentin kjo është një çështje thelbësore dhe uroj që të gjithë, pavarësisht anëtarëve të kësaj gjykate që deri tani janë bërë pjesë e saj, të kenë përgjegjshmëri maksimale, për të mbrojtur demokracinë, interesin kombëtar dhe unë do të mbështes pavarësinë e këtij institucioni.
Nuk ekziston asnjë tërheqje nga ana e presidentit për sa i takon kushtetueshmërisë së procesit. Ky proces ka mangësitë e tij nga ana e ligjit dhe aspekte të tjera. Çdo spekulim për të krahasuar situatën aktuale me atë kur ndodhi përplasja me presidentin dhe ish kreun e KED është e pavend, sepse në atë rast ishte një përpjekje për të rrëmbyer një anëtar të Gjykatës Kushtetuese që i takon presidentit, dhe ta merrte mazhoranca. Komisioni i Venecias ka folur qartë se kush e shkaktoi këtë incident që u bë i qëllimshëm”, – tha Meta.