Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata i ka vazhduar Grubit, arrestin shtëpiak edhe për një muaj. Derisa hetimi për rastin e Lotarisë Shtetërore vazhdon pa deklaratën e tij zyrtare para prokurorit, shkruan Portalb.mk.
Pas 30 ditëve nëse sërish kërkohet masa e arrestit nga Prokuroria, për të do të vendosë Gjykata e Apelit.
Kur u kërkua për herë të parë arresti shtëpiak, prokuroria shpjegoi se një pjesë e madhe e provave ishte siguruar tashmë, se i dyshuari ishte paraqitur vetë vullnetarisht në organet e zbatimit të ligjit dhe se kishte indikacione se siguria e tij personale nuk mund të garantohej plotësisht në njësinë e paraburgimit. Ndërkohë, shqyrtimi i dosjeve vazhdon dhe mbrojtja njofton se pas përfundimit të asaj faze, do të pasojë mbrojtja e tij.
Më 23 shkurt, në orët e para të mëngjesit u arrestua ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi. Ai u arrestua në kalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, prej nga edhe ishte larguar. Pasi u dërgua në burgun e Shutkës, vazhdoi intervistimin në Prokurori dhe Gjykatën Penale.
Pas intervistës së zhvilluar ndërmjet prokurorit publik dhe Artan Grubit rreth aferës korruptive në “Lotarinë Shtetërore”, prokurori publik kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë për të dyshuarin e dytë, Artan Grubin. Gjykata Themelore Penale në Shkup e pranoi propozimin. Pas reagimeve në opinion, Prokuroria sot u arsyetua se vendimi është bazuar në informacione nga MPB dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare se siguria e tij nuk mund të garantohet në paraburgim.
Artan Grubi në fund të vitit 2024 u fut në Listën e Zezë Amerikane për korrupsion dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore për të shpëtuar Sasho Mijallkovin, pas së cilës ai u tërhoq nga jeta publike.
Pak ditë më vonë, ai u arratis nga vendi, ndërsa kërkohej me fletarrest ndërkombëtar së bashku me ish drejtorin e Lotarisë Shtetërore Përparim Bajramin, për rastin ‘Lotaria’. Atyre u është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë.
Që të dy dyshohen se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej mbi 8.2 milion euro. Ata ngarkohen për veprën penale “mashtrim në shërbim” sipas nenit 354 të Kodit Penal, që parashikon dënim me të paktën katër vjet burg.
Katër të tjerët dyshohen në cilësinë e tyre si kryetarë dhe anëtarë të një komisioni për dy thirrje të veçanta publike dhe ekziston dyshimi se kanë abuzuar me kompetencat dhe detyrat e tyre të veçanta dhe kanë kryer thirrje publike për transferimin e të drejtës për të organizuar lojëra fati elektronike dhe online, megjithëse e dinin se një procedurë e tillë në raste specifike nuk duhet të kryhet.


