Vendimin për ekstradimin e Goran Grujevskit dhe Nikolla Boshkovskit, Gjykata e Selanikut do ta shpallë më 5 janar të vitit 2018, bën të ditur avokati i tyre, Petar Vasilev.
Vendimi duhej të kumtohet sot, por për shkak të pamundësisë për t’u siguruar përkthyes në gjuhën maqedonase, në çka insistuan avokatët e të akuzuarve, ai është shtyrë për më 5 janar.
Në seancat e kaluara gjyqësore si dëshmitarë janë marrë në pyetje Vasilev dhe Aleksandar Dashtevski.
Vasilev theksoi se nëse Gjykata vendos pozitivisht në kërkesën për ekstradimin, si mbrojtje kanë të drejtë të ankesës deri te Gjykata Supreme në Athinë, në afat prej 24 orësh.
Prokurori grek në këtë rast kërkoi të miratohet ekstradimi në Maqedoni i dy ish-shefave në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim.
Por, mbrojtja e Grujevskit dhe Boshkovskit pretendon se nuk bëhet fjalë për akuza të vërteta.
Edhe Grujevski dhe Boshkovski para Gjykatës kanë thënë se nuk duan të ekstradohen në Maqedoni, sepse nuk do të ketë gjykim korrekt.
Gjithashtu, ata i kanë mohuar akuzat për të cilat ngarkohen dhe i kanë vlerësuar si “ndjekje politike”.
Përveç për ekstradim, Grujevski dhe Boshkovski kanë edhe dy procese të tjera gjyqësore në Greqi, të pavarura nga njëri – tjetri.
Njëri është për falsifikim të pasaportave me të cilat janë kapur në aeroportin e Selanikut.
Gjykimi për këtë pas tre shtyrjeve do të mbahet më 17 maj të vitit të ardhshëm.
Rasti tjetër është pas kërkesës së parashtruar për azil më 29 nëntor. Grujevski dhe Boshkovski, ndërkohë, mbesin në paraburgim në Selanik.
Ata janë në mesin e të akuzuarve të PPS-së për lëndën “Target – Fortesa “.