Gjykata e Apelit Shkup vendosi që bisedat e përgjuara, gjegjësisht “bombat”, të shfrytëzohen si dëshmi në procedurë gjyqësore në lëndën e PPS-së për parregullsi zgjedhore “Titanik”. Dje në Gjykatën e Apelit u mbajt seancë publike në të cilën u paraqitën ish-ministrat Mile Janakieski dhe Gordana Jankulloska të cilët thanë se janë viktima të përgjimit dhe kërkuan këto biseda të mos shfrytëzohen si dëshmi.
Prokuroria Publike Speciale e cila e ngriti këtë lëndë mbeti me qëndrimin se bisedat e përgjuara nuk janë siguruar në mënyrë joligjore dhe mund të jenë dëshmi në procedurën gjyqësore. PPS shtroi ankesë në Gjykatën e Apelit pasi Gjykata Penale më 20 tetor i përjashtoi “bombat” si dëshmi për “Titanikun”. “Titanik” është rasti i parë të cilin e zbardhi PPS, ndërsa ka të bëjë me dhjetëra vepra të cilat lidhen me parregullsitë zgjedhore. Të akuzuarit janë ish-funksionarë në mesin e të cilëve edhe Nikolla Gruevski, Martin Protuger, Kirill Bozhinovski, Mile Janakieski dhe Gordana Jankulloska. Ata dyshohen prej PPS-së për bashkëpunim kriminal, shkelje të së drejtës së votës, shkelje të lirisë së përcaktimit të votuesve, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit, asgjësimin e materialit zgjedhor dhe keqpërdorimin e mjeteve për financimin e fushatës zgjedhore në vitin 2012.