Gjykata e Apelit në Shkup ka konfirmuar pjesërisht aktgjykimin e shkallës së parë në rastin që lidhet me ndërtimin e objektit komunal në Karposh. Me vendimin e saj, Apeli ka vërtetuar dënimin me një vit burg për ish-kryetarin e Komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski, për veprën penale të ndërtimit pa leje.
Sipas njoftimit të Gjykatës Penale të Shkupit, ky dënim tashmë ka marrë formë të prerë. Në llogaritjen e dënimit përfshihet edhe periudha që Jakimovski ka kaluar në arrest shtëpiak.
Ndërkohë, pjesa e aktgjykimit që ka të bëjë me akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare është shfuqizuar dhe lënda është kthyer për rigjykim. Për këtë vepër ekziston mundësia që ndjekja penale të parashkruhet gjatë vitit 2027.
Edhe për të akuzuarin e dytë, T. Gj., Gjykata e Apelit ka shfuqizuar dënimin me kusht dhe ka urdhëruar rigjykim të rastit në gjykatën kompetente.
Procedura penale ndaj Jakimovskit nisi në vitin 2018, pas kallëzimit të paraqitur nga Drejtoria e Policisë Financiare. Pas gjashtë vitesh proces gjyqësor, vitin e kaluar Gjykata e Shkallës së Parë kishte shqiptuar një dënim prej tre vjet e gjysmë burg, i cili nuk ishte i formës së prerë.
Me vendimin më të ri të Apelit, dënimi është ulur në një vit burg për veprën e ndërtimit pa leje. Duke pasur parasysh se Jakimovski tashmë ka kaluar pesë muaj në arrest shtëpiak, atij i mbeten edhe shtatë muaj për t’i vuajtur në burg.

