Nuk ndalen reagimet e personaliteteve me peshë intelektuale në Maqedoni në mbrojtje të shtëpisë botuese Logos-A.
Para se të ndalet mbi padrejtësitë që po i bëhen kësaj shtëpie botuese nga ana e pushtetit, gjuhëtari i njohur, profesori universitar, Avzi Mustafa parimisht ka përmendur vlerat dhe rëndësinë e Logosit në shoqëri.
“Shtëpia botuese Logos-A është njëra ndër shtëpitë që ka luajtur dhe po luan një rol të madh për përhapjen e librit shqip në Maqedoni e më gjërë. Logos-A ka botuar libra për të gjithë moshat dhe pa dallim të rrymave dhe orientimeve politike e shoqërore duke filluar prej botimeve që kanë të bëjnë për më të vegjlit e deri te librat shkollorë e shkencorë. Kjo shtëpi botuese nuk boton vetëm në gjuhën shqipe por edhe maqedonase, turke, boshnjake, angleze etj. Gjithashtu ofron botime me cilësi të lartë në përputhje me lexuesit dhe tregun. Ajo sot është një emër që bashkëpunon me gjitha qendrat e mëdha jo vetëm në Maqedoni por edhe në ballkan” deklaroi për Almakos, profesori universitar, Avzi Mustafa.
Poashtu sipas Mustafës, Logos-A është një ndër shtëpitë e para menjëherë pas ardhjes së demokracisë dhe pluralizmit në Maqedoni, dhe është shumë indinjuese që sot shteti sajon se kjo shtëpi botuese finanson parti apo individ që nuk e mendon ashtu si e mendon pushteti.
“Pas zgjedhjeve të fundit, pushteti ndjek të gjitha organizatat joqeveritare si dhe shtëpitë botuese Logos-A për ta diskredituar dhe t’ja humbur elanin e punës që e bën me nder gati 25 vjet me rradhë. Por mbetem në mendimin tim se një shtëpi botuese si Logos-A nuk mund të thyhet nga askush sepse ajo gjatë këtyre 25 viteve e ka dëshmuar veten si një shtëpi botuese ku afirmon interkulturat në tërë ballkanin”, përfundoi Mustafa.