Gjuajtjet me armë zjarri nëpër dasma në rajonin e Pollogut po bëhen problem gjithnjë e më i madh. Gati çdo mbrëmje, mund të dëgjohen të shtëna të shumta , gjë kjo që rrezikon jo vetëm dasmorët por edhe banorët e tjerë nëpër lagje e fshatra.
“Problem shumë i keq, i shkatërrohet dasma dikujt. Ajo euforia e momentit ndoshta i bën të hypin për shpie lart dhe vjen policia arreston të zotin e dasmës. Në fshatin tonë dy herë ka ndodhur plagosje nga plumbat e verbër. Konkret në fshatin tonë dy herë ka ndodhur nga gjuajtjet që një solemnitet është kthy në mort”, tha një banor.
“Shumë e ulët është nuk është në rregull kjo çka t`ju them. Është rrezik mund të plagoset dikush”, u shpreh një tjetër banor.
“Nuk bën aspak ky ves, nuk bën aspak kjo. E prishin krejt edhe dasmën këto”, nënvizoi një banor.
Nga SPB e Tetovës thonë se zyrtarisht nuk kanë pranuar asnjë denoncim për gjuajtje. Vitin e kaluar sipas të dhënave të policisë së Tetovës janë regjistruar nëntë vepra penale të rrezikimit të përgjithshëm nga gjuajtjet me armë zjarri.
“Në njërin rast kemi të bëjmë me shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, e dënueshme sipas Nenit 288 të RMV dhe deri në prokurori është dorëzuar padi përkatëse ndaj katër personave. Ndërsa në tetë raste të tjera, kemi të bëjmë me plumba të padestinuar nga gjuajtjet që kanë përfunduar nëpër objekte, shtëpi, e kështu me radhë, këtu bën pjesë edhe rasti i rrugës “JNA” në Tetovë ku mbeti e lënduar një zonjë dhe një rrugën lokale në Çellopek të Tetovës një i ri pësoi lëndime nga një plumb i padestinuar”, deklaroi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.
Teologu Usame Alimi thotë se gjuajtja me armë nëpër ahengje duhet të ndërpritet urgjentisht.
“Nëse dasma do jetë me krisma shpejt mund të shndërrohet në një mort, e morti nuk barazohet kurrë me një gëzim. Nëse në shtëpinë tuaj doni të ketë edhe dasëm edhe mort atëherë gjuani. Edhe muzika e zëshme që lëshohet në orët e vona, edhe kjo duhet përmendur sepse përveç krismave ka edhe muzikë deri në dy apo tre e natës dhe fqinjët maltretohet dhe shurdhojnë gjithkënd. E krismat marrin jetë njeriu për të nisur jeta e një njeriu tjetër, as islami e askush nuk e parasheh dikujt ti merret jeta dikujt ti nis jeta”, tha Usame Alimi, teolog
Eksperti i armëve Igor Trimçeski tregon se si plumbi qorr mund të udhëtojë në fshat dhe të marr jetë të njerëzve
“Gjithsesi se udhëton komod nga një fshat në tjetrin, apo edhe më shumë. Është tepër i rrezikshëm, mund plumbi qorr të shkaktoj lëndime serioze. Dëmton shumë dhe nuk duhet bërë kjo gjë asnjëherë të gjuhet. Nuk e di a do e kishte vrarë njeriun por lëndime serioze po, e lëndimet serioze më vonë edhe shkaktojnë vdekjen”, theksoi Igor Trimçeski, Shitës armësh.