Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur sot vendimin për masat e sigurisë ndaj 14 të arrestuarve në kuadër të operacionit të koduar “Ura”.
Pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë dhe dëgjimit të argumenteve të palëve, gjyqtarja Rudina Palloj vendosi të lërë në fuqi masën “arrest në burg” për 11 nga të dyshuarit. Ndërkohë, për tre persona, konkretisht Ervis Deti, Bexhet Mema dhe avokatin Armand Tragaj, masa u ndryshua në “detyrim paraqitje”.
Skema kriminale dhe drejtuesit
Sipas dosjes hetimore, në krye të organizatës kriminale qëndron Adi Çoba, i konsideruar drejtuesi dhe organizatori i trafikut ndërkombëtar të drogës mes Shqipërisë dhe Italisë. Çoba dyshohet se siguronte dhe dërgonte sasi të mëdha heroine dhe kokaine nga jashtë drejt Italisë, ndërkohë që nga Shqipëria koordinonte të gjithë rrjetin e shpërndarjes dhe transportit të drogës.
Në territorin italian, një ndër figurat kyçe ishte Erigels Presi, i cili priste drogën, e ruante dhe kujdesej për përpunimin dhe paketimin e saj. Krahas tij, në veprimtarinë kriminale përfshiheshin edhe Agron Ganaj, Nuredin Kiptiu, Andrea Buonsante dhe Giovanni Montedoro, të cilët kishin rol aktiv në përgatitjen dhe shpërndarjen e drogës në tregun italian, kryesisht në zonat San Cataldo dhe Oria të Leçes.
Droga e shpërndarë në doza të vogla dorëzohej më pas tek shpërndarësit e fundit: Angelo Zanzarelli, Michele Sterlichio, Francesca Caputi dhe Mazzuti Luisa, të cilët e shisnin atë tek blerësit lokalë.
Rrjeti i pastrimit të parave
Hetimet tregojnë se të ardhurat në para ‘cash’ të përfituara nga shitja e drogës në Itali grumbulloheshin dhe transportoheshin në Shqipëri përmes linjave të autobusëve. Shumat e mëdha të parave përfundonin në duart e kreut të organizatës, Adi Çoba, duke mbyllur kështu ciklin e trafikut dhe fitimeve.
Emrat e përfshirë
Operacioni “Ura” çoi në arrestimin e 28 personave dhe urdhër-arrest për një tjetër. Disa nga emrat e përfshirë përfshijnë Elvis Doci (Visi i Pojës), Indrit Tafili, Ogert Shqevi, Artan Sulejmani, Orges Molla, Sueld Elezi, Altin Morina, Genti alias Ekil Nderjaku, Hasan Nderjaku, Alfred Hysa, Altin Korca, Ledio Bardhi, dhe të tjerë.
Hetimet për këtë rrjet kriminal po vijojnë në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe europiane.