GJKKO ka lënë në burg 31-vjeçarin Juxhin Koka, i cili u ekstradua nga Spanja pasi SPAK e akuzon se ka korruptuar punonjësit e policisë dhe ka vjedhur bashkë me persona të tjerë 200 mijë litra naftë nga një anije që ishte ankoruar në portin e Durrësit.
Ndaj tij ishte caktuar masa sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike, kontrabanda me mallra të akcizës ose me pezullim të detyrimeve doganore dhe vjedhja, kryer në bashkëpunim.
NJOFTIM PËR MEDIAT
1. Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 23.10.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “1. Verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit dhe nevojat e sigurimit personal të vendosura për të pandehurin Juxhin Koka; 2. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale për të pandehurin Juxhin Koka, i biri i M. dhe i N., i datëlindjes ****, lindur dhe banues në ****, me numër personal ****, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Kondrabandë për mallrat për të cilat paguhet akcizë, ose me pezullim të plotë apo të pjeshëm, nga detyrimet doganore, ose të akcizës” kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksion publike” kryer në bashkëpunim, dhe “Vjedhja” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 172/3 e 25, 244 paragrafi 2 e 25, 134/3 e 25 të Kodit Penal.”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, bazuar në nenet 112, 248, 228, 229 dhe 230 të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 110, datë 24.10.2025, vendosi:
1. Vazhdimin e zbatimit ndaj të pandehurit Juxhin M. Koka, të masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Kondrabandë për mallrat për të cilat paguhet akcizë, ose me pezullim të plotë apo të pjeshëm, nga detyrimet doganore, ose të akcizës” kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksion publike” kryer në bashkëpunim, dhe “Vjedhja” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 172/3 e 25, 244 paragrafi 2 e 25, 134/3 e 25 të Kodit Penal, caktuar me vendimin nr. 18, datë 19.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
2. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.


