Gjykata e Posaçme ka lënë në burg Gentian Goskovan, i cili njihet ndryshe edhe si Gani Shehu. Vendimi i GJKKO erdhi pas kërkesës së palës mbrojtëse, e cila kishte kërkuar lehtësim të masës së sigurisë në “arrest shtëpie” ose lirim me “garanci pasurore”.
Gani Shehu, ish-drejtori juridik i burgut të Peqinit, u arrestua me 10 nëntor të një viti më parë. Në Gjykatë ai pranoi pas arrestimit se ka përpiluar shkresën në lidhje me kohën e qëndrimit të Viktor Ymerit në qelitë e këtij burgu.
SPAK ka dyshime dhe e akuzon Shehun se në këtë shkresë ai ka paraqitur të dhëna të rreme përsa i përket kohës së qëndrimit të Ymerit në qeli.
Viktor Ymeri është dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Arben Pajës dhe Ilir Xhungës. Ai u lirua nga burgu në 2019, por u arrestuar dhjetorin e kaluar, pasi SPAK rihapi hetimet për dy ngjarje të rëndë në 2005-ën ku mbetën të vrarë Vajdin Lame dhe Klodian Saliu, pas dëshmisë së Luftar Reçit.



