Maturantët e shkollave të mesme që nuk e kaluan provimin e maturës shtetërore në qershor do të japin sot provimin e parë të detyrueshëm ekstern – gjuhë amtare dhe letërsi. Më 14 gusht (e enjte), do të jepet provimi i dytë ekstern opsional nga provimi i maturës shtetërore në sesionin e provimeve të gushtit.
Sot do të zhvillohet testimi në gjuhën amtare (maqedonisht, shqip, turqisht, serbisht) dhe letërsi, dhe dy ditë më vonë (14 gusht) do të zhvillohet provimi zgjedhor ekstern (matematikë, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, rusisht, italisht, filozofi, estetikë).
Sipas të dhënave nga Qendra Shtetërore e Provimeve (QSHP), gjithsej 1.118 nxënës janë regjistruar për dy ditët e provimeve. Nga këta, 352 do të japin provimin e gjuhës maqedonase, 225 – gjuhën shqipe dhe nëntë – gjuhën turke. Gjuhën angleze do ta japin 779 nxënës, ndërsa një nxënës do të japë provimin e gjuhës frënge, dy – gjuhën gjermane, 27 – matematikën dhe një maturant është regjistruar për të dhënë provimin e estetikës.
Sipas llojit të arsimit, 265 nxënës do të japin provimin e gjimnazit, 835 – të mesëm profesional dhe 18 – provimin e arsimit të mesëm artistik. Kandidatët do t’i japin provimet në semestrin e gushtit në mjediset e fakulteteve.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Qendra Shtetërore e Provimeve javën e kaluar shpallën rezultatet e provimit shtetëror të maturës në qershor, të cilat janë më të mira se vitin e kaluar shkollor. Rezultati mesatar i suksesit nga dhënia e dy provimeve të jashtme në afatin e qershorit është 3.69 dhe është më i lartë se vitin e kaluar kur rezultati mesatar ishte 3.26. Sukses më i lartë u regjistrua në gjuhët amtare dhe lëndë të tjera, veçanërisht në matematikë, për të cilën rezultati mesatar është 4.14.
Për të dhënë provimin në afatin e qershorit janë paraqitur 15.004 nxënës. Për shkak të përpjekjeve për kopjim, përdorimit të pajisjeve elektronike dhe parregullsive të tjera, testet e 172 nxënësve janë shpallur të pavlefshme.