Dr. Vjollcë Mbiarra, gjinekologia shqiptare që nga Shqipëria ka ardhur në komunën e Shutkës për të shërbyer për nevojat në ambulancën e gjinekologjisë në këtë komunë ka reaguar lidhur me shkrimet e fundit kundër saj dhe ambulancës. Ajo ishte mjekja e vetme që pranoi ti dalë në ndihmë grave të Shutkës, kryesisht të komunitetit rom, pasi që me vite nuk kishte gjinekolog në ambulancën e kësaj komune dhe nuk pranonte askush që të shkonte aty.
Por Mbiarra me iniciativën e ish-ministrit Arben Taravari mori misionin duke u punësuar në ambulancë, por në përputhje me ligjet. Ditë më parë ishin lansuar shkrime se ajo po merrte para nga pacientët gjatë kontrollit. Ndërsa së fundi se gjoja biografia e saj profesionale është e rrejshme dhe se nuk ka punuar në Spitalin Amerikan në Tiranë.
Vjollca thotë se dikujt i pengon angazhimi i saj këtu dhe se po bëhen presione për të mbyllur ambulancën.
“Vërtetë më vjen keq që dikush të merret me mua. Një document nga Spitali Amerikan në Tiranë që u publikua është mashtrim dhe falsifikim dhe është e turpshme të thuhet se drejtori i këtij spitali ka firmosur ate. Po ashtu në dokument shkruhet një emër jo i qartë siç është Vjölce MBIARA. Normal se një person me emër të tillë siç është shkruar nuk ka punuar në atë spital, sepse dihet emri im i saktë”, ka theksuar gjinekologia shqiptare.
Ajo kërkon nga Ministria e Brendshme që të hetojë se kush ka dërguar dhe si ka ardhur ky dokument tendencioz në duart e disa mediave, gjegjësisht portaleve në Maqedoni. “Vlerësojë se dikujt i pengon dhe duan ta mbyllin ambulancën time private në këtë komunë dhe që tani e kuptoj se përse deri tani nuk paska pasur gjinekolog këtu. Se kush ka përfitime të mëdha nga mungesa e gjinekologut mund ta kuptoni shpejt, nëse hetoni”, ka theksuar mjekja shqiptare. (INA)