Më shumë se 100 kompani të teknologjisë, sigurisë kibernetike dhe financës, mes tyre krijuesit e modeleve kryesore të inteligjencës artificiale OpenAI, Anthropic dhe Google, kanë bërë thirrje për një “përgjigje globale” për mbrojtjen e infrastrukturave kritike nga sulmet kibernetike të fuqizuara nga inteligjenca artificiale.
Në një letër të hapur, firmosur kryesisht nga kompani amerikane, nënvizohet se ekziston një “dritare e kufizuar” për forcimin e mbrojtjes kibernetike, ndërsa sulmet pritet të bëhen “shumë më të përhapura dhe më të sofistikuara” gjatë muajve të ardhshëm.
“Spitalet, impiantet e trajtimit të ujit dhe infrastruktura që mundëson funksionimin e internetit” konsiderohen ndër objektivat më të rrezikuara, sipas nënshkruesve të deklaratës.
Megjithatë, kompanitë theksojnë se inteligjenca artificiale mund t’u sigurojë edhe mbrojtësve mjete të reja për identifikimin dhe korrigjimin e dobësive të krijuara ndër vite.
Deklarata u kërkon drejtuesve të organizatave që mbrojtjen kibernetike ta konsiderojnë një prioritet të menjëhershëm.
Qeverive u kërkohet të financojnë mbrojtjen e shërbimeve kritike që nuk kanë staf ose buxhet të mjaftueshëm, ndërsa kompanive të IA-së u kërkohet të vënë në dispozicion të mbrojtësve modelet e tyre, së bashku me trajnime dhe financim.
Letra nuk përcakton angazhime financiare konkrete, afate kohore apo masa ligjore.
Ajo u bën thirrje shteteve të koordinojnë mbrojtjen kibernetike në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar, si dhe të sigurojnë që autorët e sulmeve “të paguajnë çmimin”.
Thirrja vjen në një kohë kur modelet më të avancuara të IA-së kanë fituar aftësi për të identifikuar dhe shfrytëzuar dobësi informatike me shpejtësi të lartë.



