Edhe pse kanë kaluar dy vjet që kur Gjermania hoqi gjendjen e jashtëzakonshme të vendosur për shkak të pandemisë së koronavirusit, mënyra sesi autoritetet e menaxhuan situatën e Covid 19-të rikthehet në vëmendje, me një rishikim të kujdesshëm të gabimeve të bëra gjatë asaj periudhe.
Një komision hetimor i Bundestagut do të shqyrtojë pandeminë në mënyrë gjithëpërfshirëse, në veçanti për të nxjerrë mësime për ngjarjet e ardhshme pandemike. Përballimi i pandemisë së virusit korona është një “kantier ndërtimi i hapur”, pohoi politikania socialdemokrate Bärbel Bass, pak para përfundimit të mandatit të saj si kryetare e parlamentit, pasi tashmë do të kalojë në një tjetër pozicion, atë të ministres së punës në qeverinë e re gjermane të udhëhequr nga politikani kristiandemokrat, Friedrich Merz.
Verifikimi i gabimeve të pandemisë është pjesë e marrëveshjes së koalicionit mes CDU-së dhe SPD-së. Në mesin e ekspertëve të angazhuar për këtë qëllim është edhe Hendrik Streck, një nga biologët kryesorë në vend. 47 vjeçari, anëtar i Komitetit të Shëndetësisë të parlamentit gjerman, e sheh koronavirusin dhe pasojat e tij nga perspektiva të ndryshme: shkencore, mjekësore dhe politike. Ai beson se një hetim mbi pandeminë është “absolutisht i nevojshëm” e në një intervistë për DW, e përshkroi si “krizën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore”.
Deputetja e majtë e opozitës, Stella Merendino, e cila me profesion është infermiere, rrëfeu për të njëjtën media të rëndësishme se e kishte përjetuar pandeminë duke punuar në dhomën e urgjencës. Pashë njerëz të vdisnin por nuk i lejonim më të shihnin të dashurit e tyre, u shpreh Merendino, që kritikon faktin se shumë njerëz mbetën vetëm gjatë pandemisë: me shqetësimet e tyre ekonomike, kujdesin ndaj fëmijëve, vetminë ose punën e tepërt, çka nxiti një zemërim dhe mosbesim që vazhdon edhe sot.