SIGNIFIKANCA
Buzëqeshte në gjumë kur i kujtohej signifikanca. Njësoj si një djaloshi kur i kujtohej e dashura tekanjoze! Ajo ishte një re najloni që vishte trurin dhe zgjonte ambiciet. Edhe tani buzëqeshte nga rrengjet e saj. Ajo të krijonte përshtypjen e së vërtetës dhe të tërhiqte drejt saj me një etje të ndjellur.
Të pi pak, edhe pak prej saj! Opa! U ngopa! Nuk dua më! Rrugët ishin si drejtimet. Por signifikanca bënte të pamundurën t’I ndryshonte ato. Të gjitha të çonin megjithatë drejt qytetit, i cili të çonte drejt qendrës, domethënë – drejt smogut (aty brenda resë së tij mund të pije një kafe që ishte dhe kënaqësia e ditës).
Nuk kish të njohur dhe as të panjohur që të mos qe trazuar prej saj. Por edhe nëse kish, do të quhej i mbetur. Dukej si një lodër që nuk mbaronte lëvizjet. Ishte magnetike, megjithatë. Sa e dua këtë mostër, tha me vete! Ndërsa ëndrra e ajrit i lëvizte në mushkërinë e ndotur si Buda para braktisjes së Pallatit.
TERMI
Ai ishte dyqani më i hershëm i kryeqytetit. Quhej TERMI. Aty shkoja thuajse përditë të blija terma, në moshën e adoleshencës, me të cilat vishja shpirtin, dhe pastaj dilja. Kisha kohë pa vajtur atje, nga rutina e ditëve. Arrita. Isha ngritur majë një palë takave të kuqe, të cilat, siç thotë fjalori i ëndrrave, simbolizojnë arritjen e qëllimit. Shitësi dukej i përhitur, e kishte përthithur gjithë kohën.
– Më jepni një term, ju lutem!
– Ekstravagancë, – tha ai.
– Më bie i gjerë, një tjetër, – i thashë.
– Strikt, – tha ai.
– Më bie i ngushtë, – i thashë e pakënaqur.
– Zgjidhni vetë, – tha ai.
I pashë termat e varura në kremastaret e nocioneve. Një nga një! Nuk më pëlqeu asnjëri.
– Nuk keni marrë furnizim të ri?
– I ri është, – tha ai, – para një jave erdhi.
– Po ky T-shirt metalik? – pyeta e çuditur!
– Është një këmishë lufte e kohës së Skënderbeut, për dekor, nuk shitet.
– Kuptoj, – ia bëra. Gjithë ky mall më duket kaq i shëmtuar!
– Normal, zonjë, që kur rrobaqepësitë e Europës u transferuan të gjitha në Azi, mos prisni më terma të prerjeve të përsosura, domethënë klasike. Thjesht mbulojeni shpirtin me diçka!
– Talleni? – ia bëra e indinjuar dhe dola nga dyqani.
Të nesërmen vendosa të kthehem e të marr ndonjë term çfarëdo, sa për t’ia hedhur shpirtit përsipër, pasi edhe koha po ftohej…
Por kur arrita te TERMI, qepeni ishte ulur, mbi të qe shkruar me kapitale:
JEPET ME QIRA!
“PLAY ME, I’M YOURS”
Apasionuar pas Google kujtonte se aventuronte ndërsa navigonte. Dalloi në ekranin e vet një hacker të marketingut të lartë!
– Ç’bën ti këtu? – pyeti i fyer.
– Dua ta dish që jam këtu! – i tha ai.
– Ti mund të ishe këtu edhe pa e ditur unë!
– Jo, dua ta dish që jam këtu. Ta dish!
– Po ti paske vjedhur gjithë numrat e mi, madje dhe hidraulikun e familjes.
– Edhe elektricistin, bile! Dhe ato Real Estate-t që bëjnë gjoja sikur vijnë për të sjellë qiraxhinj te ti…e të sorrollasin e të marrin kohën, i sjell unë…
– Ç’thua! Po sa kohë ke që bën këtë punë?
– Tre plus dy.
– Qenka një fakultet i tërë! Ke jetë tjetër?
– Thjesht marketoj mesazhet dhe lidhjet e tua!
– Kujt? – pyeti ai i habitur.
– Ja, atyre atje. – Dhe tregoi me dorë dy burra që po rrinin në ballkonin e Godinës Patriarkale.
Të nesërmen mori avionin e parë e u lëshua në rrugët e Parisit. Nuk kish popull në botë që mund t’u fliste të panjohurve me aq përkushtim sa parisienët. Ti doje të ikje, pasi kishe pyetur, por ata nuk të lëshonin. Kapitur kënaqësie, vendosi të pijë një birrë në Bouquet du Nord.
Aty gjeti një vejan të trishtuar. E shoqja i kishte lënë një letër, me të cilën ia falte të gjitha tradhtitë, edhe pse ia numëronte një e nga një. Kjo letër e pengonte atë të ridashurohej, prandaj edhe po vuante…
– Tradhtitë ndodhin për njohje të reja… – i tha atij. – Edhe mua më tradhton çdo ditë një hacker… Ti tradhtar, unë i tradhtuar dhe ja ku jemi, bashkë, duke pirë:
– Salut!
– Je shumë i mirë, – i tha francezi dhe i dhuroi një puthje.
Bouquet pak hapa e ndan nga Gare du Nord. Aty është një piano: “Play me, I am yours” (më luaj, unë jam e jotja), nga ato qindra që shpërndau Luke Jerram nëpër stacione, ku luajtën mbi dhjetë milionë udhëtarë përgjatë pritjes së trenave. U zbraz si i çmendur mbi tastierën e saj duke dalë nga çdo lloj izolimi.
Kur mbaroi, u hutua kur pa sa udhëtarë e kishin rrethuar. Ai nuk dinte as notat! Një vajzë i dhuroi një zemër! Nga darka mori një shtrat në një hostel, në një dhomëz ku flinin dhe tre frymë të tjera. Do të bënte një gjumë shqerre aty.
Po t’ia përmendte dikush ëndrrën shumimofobe, për një botë të vogël, me pak njerëz, ku të gjithë e njihnin njëri-tjetrin, me siguri do të hidhej nga krevati! Miliarda të panjohur, miliarda shanse, miliarda fuqi… e fate! Bota e tij, ajo më e mira, i dorëzohej të panjohurit! Ishte ai e vetmja masë lirie. Lidhjet me grupe e miq e njohje të gjata, se pse mbanin një erë prishësirë…
Gjoksi që pat gulfmuar gjatë ditës, po fashitej ngadalë. Ndërsa mbylli qepallat, ai po hapej si ajo pianoja në Gar du Nord drejt Universit Human të Panjohur! Me afsh mërmëriti:
“Play me, I am yous”!
URA
Pa një urë që po ecte. Kjo i ndodhi para gjumit. Ajo dukej si një dinosaur pa krye, me qafën e shqepur nga autostrada dhe bishtin pendë. Kapi pikërisht momentin kur ajo po putronte në det. Deti gri, ura gri dhe një ton i fshehtë kobalti që i përqafonte të dyja, madhështonin pamjen. Këmbët e saj të drejta, tani trapezoide nga hapat e rëndë, e mahnitën! “Ku shkonte ajo urë? Po ecin urat?” – mendoi në atë vegim tronditës. Ajo ishte një urë që po endej në tokë e në det për të kërkuar njerëz!
SENSI
Nuk do ta tepronte me alkoolin, por jo sepse dehej. Ai nuk qe dehur asnjëherë, sado që ta tepronte. Dhe kjo ishte pika e tij e dobët, mungesa e një pike. Tani madje nuk do të pinte më! Herën e fundit, një meditim i tmerrshëm qe përhapur në trurin e tij përgjatë pijes, dhe ai, si asnjëherë më parë, kishte ndier dëshirën e kthjellët për vetëvrasje.
– Ti je esëll vetëm kur pi, or mik! – i kish thënë miku i tij më i vjetër, dhe i vetëm. Pas kësaj të dy ia kishin plasur një të qeshure me hahaha, nga ajo që shtrihet prej Shqipërisë së Mesme deri në Lindjen e Mesme. Se ka dhe të qeshura me hihihi, hilatore, më veriore.
– Do vish me mua sonte në shoqërinë sekrete-anonime? – e pyeti miku.
– Ç’është kjo? – u habit ai.
– Shoqëria e të alkoolizuarve anonimë.
– E përse sekrete? – pyeti me inoçencë.
– E merr vesh atje! – i tha miku dhe takoi cepat e buzëve me cepat e syve.
*****
Takimi mbahej në një nga dhomat e zhveshjes së një fushe stadiumi të dorës së tretë. Ishte porositur që po ta pyesnin (edhe pse akush nuk e pyeti), të thoshte se ishte i alkoolizuar. Dinte vetëm se alkooli, kjo substancë eterike, mbetej në gjak çuditërisht gjithë jetën, edhe pasi kishe ndërprerë pijen. E po nuk qenka për të menduar se format kanë vetëm një lloj jete! Jo, nuk është për të menduar se kanë vetëm një jetë, ia kishte përforcuar, miku i tij i vetëm dhe i vjetër, i alkoolizuar.
E para e mori fjalën një angleze e shfibruar, që i kishte kaluar të tetëdhjetat, me sytë ngjyrë vetëtime:
– Nuk e di përse, – tha ajo, – realiteti më ka shtyrë gjithmonë vetëm drejt vesit ose katastrofës! Kam provuar divorcin, drogën, silikonin dhe kancerin e gjirit, alkoolizimin dhe, më në fund, aksidentin automobilistik, ku trupi m’u pre në dhjetë mijë feta. Tani jam bërë njeri i mirë. Por jo sepse dua. Unë nuk kam zgjedhje tjetër. Doktori më thotë: Jeta jote lavirret në fije të hollë!
Dhe hapi duart, e zhgënjyer që i duhej të jetonte një jetë normale, sikur të qe një e burgosur. I dyti foli një burrë që, siç deklaroi, ishte 55 vjeç, por pa pohimin e tij, mosha e tij do të ishte e zhdukur. Ai dukej një shkrirje ekstremesh, mes bebes dhe plakut!
– Historinë time jua tregova javës së shkuar, – tha ai. Nuk më mbetet veçse pako gjë për të rrëfyer, e kësaj jave. Shkova te dentisti të hënën. Do të hiqja katër dhëmbët e fundit. “Keni reaksion nga drogërat?” më pyeti dentisti, para se të merrte shiringën e anestezisë. Jepmëni edhe drogën më të tmerrshme, i thashë, vetëm më bëni të harroj Realitetin, dhe unë do ta duroj!
Plasi një e qeshur. Pastaj një duartrokitje e lehtë. Situatën e mori në kontroll një amerikan tridhjetëvjeçar!
– Isha vetëm tetëmbëdhjetë, kur më la e dashura. Nga dëshpërimi fillova alkoolin. Brenda dy vjetësh unë isha krejt i alkoolizuar. Flija deri kur zgjohesha, aty ku rrëzohesha. Një natë, si kisha pirë, vrava me makinën time një njeri. Më futën në burg. Aty nuk kisha asnjë shans për të pirë. Ju e kuptoni, nëse nuk do ta kisha vrarë atë njeri, dhe nuk do të më kishin rrasur brenda, unë… edhe sot nëse do të isha gjallë…do të vazhdoja të pija!
– Kjo ishte rruga ime e vetme për të ndërprerë alkoolin! – e mbylli ai.
*****
Atë natë, ai fjeti me një protuberim truri, të pasuksesshëm për të gjetur shtegun. Të nesërmen u betua se nuk do të shkonte më në asi takimesh, pasi nuk kishte ndër mend të dëgjonte se si krimi dhe dënimi ishin e njëjta lëndë në krijimin e sensit… Brenda këtyre dy poleve shtrihej miti i Botës Pozitive. Ai ndihej tepër i dobët të shqitej qoftë edhe një çast të vetëm prej saj.
I mungonte pika!
Gjëja
E kishin mbështjellë. Sigurisht vetëm një pjesë të saj. Madje as atë. Kishin mbështjellë mendjen. Aq sa të orientoheshin brenda saj. Dhe këtë e quanin Gjëja.
Ata diskutonin rreth saj si qenie, si realitet dhe kush nuk i njihte këto, jetonte në ëndërr. Po prapë, brenda gjësë. Edhe kur takoheshin, pyesnin njeri-tjetrin:
“Ç’kemi ndonjë gjë?”
Gjëja ishte potenciali i tyre. Por edhe kjo nuk qe e vërtetë. Ata ishin të pafundmë, por asnjeri prej tyre nuk e besonte pafundësinë e vet. Kështu gjëja u bë shpirt dhe u identifikua me mundësitë. Në të vërtetë shpirti ishte i paidentifikueshëm. Ai madhërisht hapej në qeliza, kur gjëja harrohej. Vetëm atëherë solar pleksusi çlirohej nga pesha e përgjegjësisë dhe merrte frymë lirisht.
Pesha e gjësë nuk qe, por kristalizimi i rrethanës së parë, e cila si çdo tjetër ishte prej ere. Shumica e tyre ndërronin jetë, kur nuk frynte erë, kur nuk frymonte. Por as kjo nuk i bëri të kuptonin apo qoftë të vinin re rëndësinë e erës.
E padurueshmja
Ajo ishte gruaja e padurueshme e një bashkëshorti. Ai e gjente atë gjithmonë të veshur për të dalë brenda krevatit. E shumta që ajo mund të toleronte, ishte të vishej bukur vetëm brenda në shtëpi. Dhe në orët e mbrëmjes. Para gjumit. Ajo lyhej me të kuq, hidhte fustanin më të shtrenjtë në trup, çizmet deri në gju dhe, ashtu si një yll i bukur, futej në krevat! Ai nuk e kuptonte atë. Ajo sillej jashtë çdo kodi! Bota nuk e përshtypte. Qysh prej lindjes, nën lëkurën e saj zhvillohej një dritë fenomeni, të cilin ajo nuk e gjeti dot në njerëz e libra. Vishej përsosmërisht bukur e shtrenjtë para gjumit, sepse vetëm aty mund të rrokej me të.
Syprina
Ideja e syprinës kishte pushtuar shkencat humane.
Njësoj si ideja e lëkurës, kozmetikën, po t’i referoheshim trupit.
Unë u befasova sa thellë kishte shkuar kjo ide, sa qe komplikuar.
E gjeta veten krejt profan përpara cllusterit të saj!
A thua më kishte ikur pa vënë re esenca e esencës, arsyeja e të qenit,
Syprina?
Studiova shumë mbi syprinën. Sot mund të quhem edhe mjeshtër në këtë
shkencë. Ashtu si një kozmetist që njeh trupin, aq sa për të llaptisur lëkura.
Por sa u shokova kur së fundmi dëgjova se kërkimtari i jashtëzakonshëm i
shkencës syprinore, kapiteni Ciborg, paskësh deklaruar se njeriu qenkësh
inferior ndaj robotit dhe… madje i tepërt në të ardhmen!
Si për të manifestuar tmerrin, ai vetë kishte montuar një çip në krahun
e tij, brenda mishit. Dukej si Xhejms Grremçi në luftë me Piter Panin.
(Grremçi kishte një dorë metalike po ashtu, pasi të tijën ia kishte ngrënë
krokodili).
Nuk e di përse ato çaste kujtova monologun e Grremçit:
“Kush është më i mirë, unë apo Piteri?
Unë! Jo! Ai! Piteri është më i miri. Sepse ai nuk e di që është i mirë!”
Aplikacioni
Ai kish ekzistuar që në fillimet e njeriut. Por nuk ishte markuar me emër, veçse në shekullin e njëzetë të erës sonë.
Mendohej se ishte një program zgjatues i formatit mental, të atij organi të virtualitetit – që quhet Truri.
Çudia nuk qe që njeriu e mësoi se aplikacioni paskësh jetuar njëherësh me të, njësoj si Borgjezi Fisnik i Molierit, që një ditë të bukur zbuloi se
tërë jetën e tij paskësh folur në prozë. Aplikacioni, me zgjatjen, po bënte të mundur konvertimin.
Ata po hynin në mënyrën e jetesës së njeri- tjetrit. Në kuptimin e kuptimeve dhe të keqkuptimeve të tyre.
Ata po gjenin domethënien e grindjeve dhe të dashurive të tyre.
Ata po njihnin veten duke njohur njëri-tjetrin.
Tani edhe avionët, kur bombardonin , vrisnin njerëz të tyre.
Pasi aplikacioni kishte interferuar ngado!
Pylli
Ai ishte çifti më i duruar i dashurisë së parë.
Të tjerë nuk i kishin duruar aq gjatë dashuritë. Aq më pak të parat!
– Më jep një mërzi të re, – i tha ai asaj.
– Derr, – ia ktheu ajo.
– Qenkam shpëlarë krejt në sytë e tu, – i tha ai. – Dikur më thoshe Hajvan!
– Përse m’i nxit nervat, përse m’i kërkon sharjet? – iu shfry ajo.
– Vetëm nga ato kuptoj sa të kam lënduar, dhe prej lëndimit dëgjoj sa më
do akoma.
– Je i çmendur, – i tha ajo me indiferencë.
– Ti nuk më do, – ia ktheu ai.
– Ti je një monstër që më ka thëthirë shpirtin gjithë jetës!
– Ti nuk më do më fare, – tha i mërzitur ai.
– Ti je një shtazë, një primitiv, kafsha më primitive që ndonjëherë kam
parë. Ti je Pylli!
– Ti më do, – i tha ai dhe e rroku zemër e krahë.
Hiçi
Ai vinte nga njëra degë e kulturës së Perëndimit.
Ajo ishte një pagane e pavetëdijshme, i jetonte esencat si natyrë. Dhe ato
ishin thuajse natyrë.
Ai e pat tepruar me kënaqësitë e trupit, paratë dhe alkoolin. Kish humbur
gjithçka. Vetmuar, epoka e artë e dikurshme e jetës, e dënonte.
Ajo ishte një naive vazhdimisht e pësuar. Por të gjitha pësimet i kthente
në margaritarë. Dhe nuk pendohej!
Ai i kish folur asaj për Hiçin.
Ajo për herë të parë po dëgjonte rëndësinë e konceptit.
Ai i thoshte se Hiçi ishte përtej gjithçkaje dhe se ngjallte frikë po ta
përjetoje. Ishte hiçëzim i vetes prej të tjerësh, nëpërmjet vetes. Boshatisje!
Kishte Hiçin e saj edhe ajo. Edhe pse nuk e pat ndarë asnjëherë si koncept
kundrejt vetes.
Hiçi i saj ishte një harrim i plotë i të gjitha kuptimeve, historive dhe fjalëve.
Një shkrirje me universin drejt një rifillimi. Një mbushje, sikur të jetonte
për herë të parë.
Ai disa herë kishte qarë për atë grua.
Ajo, megjithatë, nuk kishte ndryshuar.
Ai i thoshte se ende e priste.
Ajo asnjëherë nuk i qe përgjigjur se do të vinte.
Ai ëndërronte që ajo të kthehej në hiç…vetëm ta kishte!
Ajo e dinte se nuk do të ishin kurrë bashkë, sepse nuk mund të shkohej
larg me atë burrë, të atij lloj Hiçi!
Miniera
Dilte në orët e para të mëngjesit dhe ato të mbramet e mbrëmjes. Ditën punonte në minierë. Ngandonjëherë, kur nuk kishte gjumë, edhe natën.
Shkëmbinjtë e egos ishin të fortë. Nga xeherorët dilnin thesare dhe skorie.
Shpesh pat menduar ta linte këtë zanat të vështirë. Pronarët shisnin kryesisht skoriet ose përzierjet e mesme.
Hyri në Markatën e Minierës atë të diel. Thesaret më të mira ishin të fshehura të gjitha nën banak. Po të mos ua dije emrin e të pyesje shitësit, nuk i gjeje dot.
Të gjitha skoriet, përsipër. Shumica blinin vetëm ato.
Doli mendueshëm nga Markata, por te dera u përplas me një zotëri të vjetër me borsalinë.
– Mirëdita! Si jeni? – i tha tjetri dhe hoqi borsalinën.
– Më njihni? – pyeti ai me ndrojtje në hutim.
– Po kush nuk e njeh kërkuesin e thesareve?
– Ah! – ia bëri ai me trishtim. Këtu shiten vetëm skorie!
– Nuk ka gjë, – ia ktheu zotëria. – Sa më shumë të shiten nga ato, aq më
e madhe është vlera e thesarit!
Bëri. A bëri?(Kuic)
Bëri një dallim. Dallimin e bëri njeri.
Bëri një Njeri Dallim.
Bëri një grupim. Grupimin e bëri dallim.
Bëri një Grupim Dallim.
Bëri një diferencë.
Botë, minus dallim = një diferencë.
Bëri një diferencë shumë të madhe.
Bëri një botë me një diferencë shumë të madhe.
Bëri një botë.
Bëri një botë.
A bëri Një Botë?
Trëndafilat
Kish mbetur pa gojë para asaj tufe trëndafilash, që mund të quhej edhe pemë, që kishin shpërthyer çmendurisht, duke u arratisur nga muri i asaj banese, dalë krejt në rrugë, mbi trotuar, mbi kokat e këmbësorëve. Pat ndalur. Vështruar. Magjepsur. Kënduar. Sikur dikush ta kishte kurdisur. Një këngë që ishte vetëm e tija.
It’s season of roses, I don’t want to talk,
It‘s season of roses, I just want to walk!
Roses, roses, oh, you roses!
Pastaj, si të mos mjaftonte anglisht, kishte kënduar të njëjtin motiv në frëngjisht:
C’est la saison de roses, je ne vais pas parler…
C’est la saison de roses, je veux promener…
E ashtu i marrosur pas atij qielli të bruztë, që tendej në pasqyra ndriçimi midis trëndafilash, dhe një hëne majhoshe aty përsipër, mezi u shkëput nga ajo gjendje, që stampoi përjetësi në universin e tij. Të nesërmen shkoi në zyrë me një trëndafil në kokë. Shpërthente petale nga truri, përqafonte me to gjithësinë, me pulitje të buta pas dritës, prej së cilës buiste me ambli infiniti.
– Ç’paske sot? – e pyeti kolegia.
– Nuk e di! Më duket sikur kam një trëndafil në çakrën e sipërme, – tha
ai, edhe pse nuk e njihte mirë kuptimin e fjalës çakër!
– Ki kujdes, – tha ajo me hidhësi! – Trëndafili është lulja e budallait, sepse tregon rrugën!
Ai u skuq deri te veshët dhe vendosi ta harrojë të paharrueshmen!
Por nuk duroi dot. Hapi të gjithë fjalorët e ëndrrave dhe zhgjëndrrave, në
të gjitha gjuhët që njihte e nuk njihte. Trëndafilat ishin simbol dashurie,
pasioni, afekti. Vetëm në vendin dhe gjuhën e tij kishin një kuptim tjetër.
Ai nuk ishte i sigurt, nëse ky kuptim vinte nga lashtësia apo nga marrëzia!
Dhe në atë ambiguitet, trëndafili i madh i universit të tij, ulte krye prej
identitetit…
Banesa
Trokiti. Ishte i sigurt që qe banesa e tij, edhe pse nuk kishte shkelur aty prej tridhjetë vitesh.
I hapi derën Ajo.
I buzëqeshi Ai:
–Të hyj?
– Për një vizitë, – i tha ajo.
– Jo më shumë?
– Tani e banoj vetë këtë banesë.
Ai e pa me hidhërim dhe vlerësim… Hyri.
Sa herë që dashurohej dikur, ajo ia linte banesën e shpirtit krejt Tjetrit dhe dilte për vete në rrugë.
Aty kalonte gjithë peripecitë, si çdo lypës ndjenje.
Për më tepër, banesa që ajo dhuronte, braktisej me vite, pasi burrave u
mjaftonte ideja që e kishin.
Vendosi ta banojë, më në fund, vetë, banesën e vetes.
Po shijonte pak ditë të paqta e të plota.
Çuditërisht, pas këtij vendimi për ta banuar shpirtin e saj, të dashurit e
vjetër kishin filluar të dukeshin bashkë me të rinjtë, njeri pas tjetrit…
Trokisnin te dera…
Tregtari
Ai ishte tregtari më i vjetër i Tiranës së Re. Ulur në autobusin e linjës, ngjitur me një vajzë.
– Të poshtrit, sapo më vunë një gjobë tremilionëshe! Biznesi im nuk i
nxjerr aq para as në tre muaj!
– Me mua e keni, xhaxhi?
– Jo, flas me vete!
– Po edhe ju duhet të mësoni të deklaroni shitjet, – ia ktheu vajza monologut!
– Nuk kam ku të lëviz, po i deklarova të gjitha!
– Ç’do me thënë?
– Të qepur e ke këtë fustan?
– Jo, të blerë!
– Po ta kishe të qepur, copën e blerë do ta kishe më të madhe se fustanin, pra do të kishe ku të lëvizje…
– Të thashë që është i blerë!
– Me se meresh, moj vajzë? – pyeti i moshuari.
– Poete freelance!
– Nuk kuptoj!
– Jam shkrimtare! – theksoi ajo.
– Sa shkronja ka një fjalë?
– Ç´është kjo! Po ja, tre, katër… gjashtë… varet!
– Alfabeti ka 36 shkronja! E shikon? Ke ku lëviz!
– Xhaxhi, pse mundohesh kot! Kinezçja ka për çdo fjalë një shkronjë!
– Ah, – tha me vete tregtari, jam europian i vjetër, por më lanë pas portës…
Mirë të më bëhet!
Vajza e pa që e teproi dhe i zgjati një libër.
– Merre, – i tha, – janë poezi dashurie, të heqin stresin.
Ai e pa mëdyshas.
– Në cilën gjuhë janë shkruar? – pyeti.
– Në gjuhën e mëmës, – i tha me ton ajo.
– Nuk i dua! – tha ai. – Do lexoj këtej e tutje autorë kinezë. Ata i
deklaruakan të gjitha!
Bursa
Shkonte vazhdimisht te një kineze.
Ajo e ndihmonte me jogën dhe masazhin e meridianëve.
Ishte i vetmi midis shokëve që nuk po dhjamosej dhe, megjithëse edhe ai
si të tjerët qe goditur në bursë, ende nuk kishte pësuar si ata ndonjë atak nervor.
Por nuk pati guxuar asnjëherë t’u tregonte atyre se ishte përdorues i
mjekësisë kineze. Dhe nuk e dinte as vetë me siguri përse nuk guxonte.
I dukej si një lloj tradhtie. Merrte energji dhe rigjenerohej në një sistem
tjetër dhe kthehej në të vetin.
Por ditën kur bursa e Shangait u lidh me atë të Londrës, ai guxoi të pohojë
se kishte frekuentuar jogën prej shumë vitesh dhe se i kishte bërë mirë.
Suksesi
Fatkeqësia e tij qe vulosur te suksesi. Ai asnjë moment nuk u nda prej tij!
Principit iu nda, por suksesit jo! Derisa fitoi atë fuqi të pakontrollueshme
që quhet MJESHTËR.
Bëri shumë dëme në jetët reflektuese, por dëmin kryesor e pësoi vetë:
Nuk i kishte mbetur as edhe një vlerë e rreme që ta përpunonte.
E rreme ishte prapë njësoj si e vërtetë, nëse njerëzit e besonin.
Por ata nuk i afronin asnjë pistë dobësie, ku ai të hidhte një çap, qoftë edhe
pak rremësi besimi, e një ideje çfarëdo, me të cilën të mund të ngrinte një
miriadë iluzioni.
Ç’ishte ky ekzekutim i paqtë?!
Dinakëria e udhëhiqte në dëme të reja, por të tjerët i prisnin natyrshëm
ato, të terrorizuar nga mizoria e suksesit të tij mjeshtëror!
Bota i dukej padrejtësia më e madhe! Dhe ashtu ishte. Pa të, ai nuk do të
qe bërë aq i tmerrshëm, nuk do të kishte mbërritur në atë pikë pa dalje,
suksesi.
Gjendej lakuriq midis mosbesimit njerëzor, me një nudizëm të dhunshëm
përballë egos!
Shansoni
Ajo nuk ndihej mirë me Përgjithësimet. Kjo hapësirë që herë-herë i binte
e madhe, herë-herë tepër e vogël, dhe ndonjëherë kaq e panjohur, nuk i
bënte sens.
Përputhja e përgjithësimeve ndodhte vetëm në sferën abstrakte. Në jetë,
bënte kërdinë me mospërputhje, kështu e ndiente ajo.
Të njëjtën gjë e ndjeu edhe në sferën e përfaqësimit.
Ajo, madje thosh se askush nuk e përfaqësonte dot. Nëse kjo ndodhte, që
dikushi ta përfaqësonte, ajo do ta dashuronte!
Mjeku i tha se mund të kishte probleme me Normën!
– Nuk mendoni se mund të jetë e kundërta, – e pyeti ajo, – që Norma të
ketë me mua!
– E kundërta është çështje e jurisprudencës, jo imja, – iu përgjigj ai.
– Po a ka mjekë në këtë fushë?
– Ka. Quhet Avokat.
– Atëhere duhet të vizitoj një avokat dhe jo të marr ilaçet që më propozoni.
– E njëjta procedurë është, zonjë. Atje do t`i merrni në trajtë mbrojtjeje.
Këtu i merrni në trajtë vetëmbrojtjeje.
– A mund ta di diagnozën?
– Nuk mund të them se është patologji! Ekziston te të gjithë. Te ju është
Përkëdhelja e Madhe!
– Jam e përkëdhelur!?– pyeti ajo me habi.
– Merreni në mënyrë të dobishme, zonjë! Bota është zhvilluar aq sa ka
mundur të përkëdhelë njeriun! Dhe janë të llastuarit ata që e përmirësojnë.
– Lërini llafet, doktor! Ilaçe nuk dua, po as të më mbrojë tjetër kush nuk
dua!
– Ilaçe nuk doni, mbrojtje nuk doni… atëherë Shans-oni!
Shënime nga kutia
e pafundme
Çfarë mund të bëjë kufirin e një relacioni?
Është thuajse e pakapshme, sepse është gjithmonë në lëvizje!
Korda është supozuar në një sistem numerik të renditur e mirë të shtruar,
i cili punon me pak humbje.
Diskurset janë të palejueshme.
Depresioni quhet sëmundje.
Aspirata e një shoqërie të unifikuar…
Dizenjimi i mendjeve për të bërë rend, pa rënë në kritikë për mendjet
që qëllimojnë mendimin.
Shenjat duhen përsëritur pa gabime në kuadrin e përdorimit.
Gjuha dhe kuptimi janë simetrike?!
Direksionet dhe orientimet janë të përcaktuara.
Mënyra e operimit është jeta e kodës në ndarjet strikte.
Fotografia mund të shikohet si një grid.
Aspirata e Marksit ishte të bënte një katror të barabartë për çdo njeri.
Aspirata për barazinë e katrorit nuk do të mbarojë asnjëherë.
Por pabarazia e katrorit krijon atraksionin, lëvizjen
e të gjithë relacionit të kordës,
që është cilësori i entropies, dhe kodi i rënies.
Korda e kuptimit është jetë a vdekje.
Rutina është inerci e brendisë.
Niveli i kompleksitetit të kordës dhe mosvarjimi…
është kusht i tërheqjes dhe rënies.
Modele për relacione,
personalitet për ekzistencë,
kompletim i konformalitetit,
motivim i standardizuar brenda të gjithë aktorëve individualë të shoqërisë.
Extrapolate – strukturë dhe sistem dhe motivimi si mekanizëm –
jeta e kodës në ndarjet strikte që shkatërrohen te njeriu.
Narrator
E donte. Të paktën bënte të pamundurën ta donte.
Por nuk nguronte t’i tregonte asaj histori nga e kaluara e tij, sa e lavdishme
aq dhe anonime:
Ishin grup atë natë, por jo të dehur. Kishin marrë me vete të hollat e fundit
mbetur nga java, për të dëfryer në një shtëpi publike.
I tregoi për shokun e parë, për zgjedhjen e femrës së tij. Pastaj për të
dytin dhe më pas për të tretin. Emocione vulgare, në përshkrime me
fjalë të rrufitura, por që, nga guxulia e tregimit dhe ato qeshjet e vogla
që kukurisnin kraharorin, e përfshinin dhe atë tjetrën në kënaqësinë e
imagjinimit të një bërjeje akti seksual të devijuar, që të josh më shumë, sa
më shumë sidomos koha ka kaluar.
– Po ti? – e pyeti direkt ajo, mbi fytyrë.
– Si unë? – ia bëri i habitur ai.
– Nuk më tregove për veten! Çfarë bëre atë natë? Cilën zgjodhe?
– Unë… dhe goja iu mor dhe kraharori bashkë me ngrohtësinë filloi të
çlironte shtrëngime…
– Unë jam narratori! – thirri fort ai.
– Ahaaaaa, – qeshi ajo. – Domethënë, nuk do më thuash asgjë për veten?
– Unë …jam narrator, – përsëriti djali.
Qeshnin të dy në krahët e njëri-tjetrit si kuaj hangaresh të artë…
Maja (The top)
Ai i donte çmendurisht njerëzit.
Asnjë kategori njerëzore nuk ishte e përjashtuar në dashurinë e tij.
Kjo dashuri e pakushtëzuar buronte nga dështimet e tij të panumërta.
Por kur analizonte në melankolinë nervoze duke tymosur, gjëja që e
acaronte ishte se ai i kishte kërkuar vetë të gjitha dështimet. Nuk kishte
të paktën një dështim që të buronte nga pamjaftueshmëria.
Natyra dhe mendja ishin investuar në maksimumet fizike dhe intuitive
tek ai, aq sa dhe dija i dukej një gjepur për të marrë kënaqësi.
E vetmja kënaqësi i mbeteshin njerëzit, sa më të parëndësishëm, rastësorë,
që e jetonin momentin me sinqeritet dhe përfshirjeje. Nuk ishte e lehtë t’i
takoje përditë. Ata si lulet e egra, jetonin larg.
Kështu qe izoluar dhe i kalonte ditët kryesisht me meditim dhe weed,
ndërsa netët me lajme politike globale, të cilat nuk i besonte.
Historia e këtij mënjanimi ishte më e thellë.
Para se të emigronte u largohej të gjithë tipave të dyshimtë të qytetit. I
gjente ata nëpër pabe, disko e bare. Nëpër cepa rrugësh, në restorante të
lira dhe natën vonë rrëzë garazheve të qendrës.
Ata përpiqeshin ta joshnin. E thërrisnin në emër. Pasi, megjithëse anonim,
ai ishte i famshëm për atë asgjënë e tij mënjanuese dhe hijeshinë prej hëne.
Vendosi të emigrojë, më mirë sesa të anësojë në ndonjë vepër keqbërëse.
Pas tri vitesh në emigrim, i lodhur nga puna fizike, u kthye në qytetin e tij.
Të gjithë të dyshimtët, të cilëve u qe larguar, i gjeti në majë, në TOP.
Fronti
Ai hynte në disko. Ata ishin aty.
Ai donte të penetronte më thellë. Nuk e linin.
Një tjetër natë, ai nisej përsëri me idenë se do të mund të futej pak më
thellë. Do të mund ta çante atë mur njerëzish dhe të shikonte çfarë ndodh
brenda.
Por ata ishin aty, bllok, të pakalueshëm, të palëvizshëm, mur-mish-njeriu.
Ai zgjaste kryet, pikërisht të shikonte aty ku rreh më fort muzika, ku
intensiteti është i çmendur, ku ndodh ngjarja.
Gjithmonë ata ishin aty. Pengues!
Nuk gjeti dot as edhe një herë, as edhe një moment, as edhe një të çarë të
vogël për t’u futur dhe parë.
Ata ishin Front!
Ata më njohin më mirë
Ajo ishte aq kurioze të dinte për të.
Por ai nuk e ndihmonte.
Pothuajse asnjëherë nuk do të ndodhte që ai t’i fliste asaj apo dikujt për
veten.
Pas disa muajsh që jetonin bashkë, ajo filloi t’i përshkruante atij disa tipare
që ai i kishte, që asaj mund t’i pëlqenin, por edhe mund të mos i pëlqenin.
Ai në të dyja rastet vetëm duronte dhe nuk reagonte.
Me në fund ia ktheu vrazhdë:
– Je bërë si ata!
Ajo e pyeti e çuditur:
– Si kush ata?
– Ata si puna jote, – ia ktheu. – Më kanë parë diku, ju ngjaj me dikë, jam
si dikushi që ata e njohin por unë jo, dinë çfarë tipi jam! Ata më njohin
më mirë!
Kristofi igazolinës
Atë mbrëmje ishin mbledhur të gjithë së bashku, një parti konjitivistësh,
për të dëfryer me pije, muzikë dhe alkool.
Njërën nga vajzat e kishte marrë gjumi, nga pija apo nga lodhja, kjo nuk
dihej, por ajo qe lëvarur e tëra mbi karrige.
Kishte qenë pikërisht ky momenti kur një nga çunat i qe afruar, kishte
zbërthyer pantallonat, e donte të tundte bibilushin mbi fytyrën e saj.
Kristofi e kishte shtyrë tutje, por djali trupmadh nuk qe sprapsur.
Atëherë kishte ndodhur pikërisht ajo gjë e frikshme që ai, Kristofi, kishte
nxjerrë kanaçen e gazolinës nga xhepi, e ia kishte hedhur gazin në fytyrë
me njërën dorë, e me tjetrën ndezur me çakmak.
Tmerri qe përhapur tek shikonin fytyrën që digjej.
Vajza qe zgjuar dhe nuk kuptonte çfarë po ndodhte aty.
Një ambulancë mori të djegurin drejt spitalit.
Nuk kish kaluar java nga kjo ngjarje, kur vajza, ulur në tramin e qytetit,
proftasi në ballkonin e lartë të një ndërtese, pikërisht Kristofin. Ajo me
siguri nuk do ta kishte vënë re, sepse ai qe shumë lart, por ishte një re zjarri
e gazolinës së tij ajo që i tërhoqi vëmendjen. Po ndizte në të, qetësisht,
cigaren e radhës!
Flokët e engjëjve
Përshtypja është një lëndë enigmatike. Kjo ide i erdhi nga ajo përshtypje.
Impresioni i parë ishte goditja më e butë që mund të ndodhë dhe për këtë
arsye edhe më e forta.
Edhe tani e kujtonte argjendin e artë të atyre tufave të barit të pazakontë,
që pati parë në një nga fushat e largëta kodrinore të vendit, në mes të cilit
një lule vishnje e egër nxirrte kryet përsipër. Kishte mjaftuar ajo sekondë,
autobusi ikte vrik, për atë goditje, e cila vazhdonte edhe tani ta afektonte
në pikën e zalisë.
Ishte një nga ngjyrat më të rralla që kishte parë në jetë, dhe ishte e para
herë, pra, që e shihte. Kishte një personalitet fluid e magjik, saqë një ngjyrë
e tillë ari, siç mendoi ajo, mund të gjendej vetëm në Francë, në tokën e
nuancave, siç e quante ajo.
Ajo madje mendonte se dallimi i Francës nga e gjithë bota buronte nga
nuancat e natyrës së saj. Ishte një tokë që prodhonte nuance, jo ngjyra.
Muaj më pas, kur kishte hyrë në shtëpinë e Danielit në Lodeve, pothuajse
pat thirrur e befasuar nga bari argjend e ar dhe tufat e buta të tij në oborr!
Ky bar quhet “flokët e engjëjve”, i kishte thënë ai.
Ajo qe mahnitur!
Ideja se flokët e engjëjve qenë shfaqur edhe në vendin e saj, i jepte një
ndijim shpëtimi, në polenin që fekondonte stimuj irracionalë, të një
lumturie me përjetim shfaqjeje fati!
Suare me pizhame
E pashpjegueshme mbetet qeliza e komunikimit. Si ta quante ndryshe
atë moment, kur, e gjetur mes një tryeze të rriturish, vendosi t’i drejtohej
pikërisht atij fëmije topolak, flokëshkurtër, që kishte ardhur me gjyshen.
– Si quheni?
– India, – tha ajo, duke theksuar I-në e parë.
– Sa vjeçe jeni?
– Dhjetë.
– Keni vëlla apo motër?
– Jam fëmijë unik.
– Fëmijë unik? – ia bëra me habi.
– Po, – tundi kokën ajo.
– Ju shqetëson kjo?
– Përkundrazi! Më duket e lezetshme!
– E lezetshme? Përse?
– Nuk kam arsye të ndaj dashurinë dhe hapësirën që më japin prindërit,
me të tjerë. E kam të gjithën për vete.
– A keni të dashur?
– Po, kam një! Le të themi shok.
– Pse të pëlqen?
– Bën shakara. Eshtë timid. Po edhe pse është timid, kjo më duket e
lezetshme.
– Jeni puthur?
– Jo!
– Ke facebook?
– Jo, as telefon. As kompjuter. Asgjë që lidhet me internet.
– Po si komunikoni?
– Kur shkoj në shkollë.
– Domethënë është mjedisi social që iu ka bashkuar.
– Jo, – thotë me forcë ajo, pasi me të drejtë mendon se është ndjenja që i
ka bashkuar.
Vë buzën në gaz.
– Po nuk ndihesh e vetmuar ngandonjëherë në shtëpi?
– Bëjmë suare me pizhame me shoqet, kur ndihemi vetëm.
– Ç’ndodh aty?
– Asgjë! Hamë darkë, shohim televizor, bëjmë pak muhabet, derisa na zë gjumi të veshura me pizhame.
– Nëse do të kishe vëlla apo motër, çfarë do të zgjidhje të kishe?
– Motër!
– Pse?
– Është më e lehtë.
– Përse mendon se është më e lehtë?
– Sepse ashtu mendoj. Në të vërtetë nuk mund të di asgjë për gjëra që nuk
i kam jetuar.
– Atëhere përse mendon se është më mirë që jeni fëmijë unik.
– Sepse kam pyetur shoqet dhe shokët e mi që kanë motra dhe vëllezër.
– E çfarë thonë ata?
– Ata thonë se është një Ferr!
– Sa vjeçe jeni ju? – më pyet ajo papritur.
– I them moshën.
– Ju mendova 14 vjet më të re!
Çuditem me numrin që ajo më thotë.
Ndërkaq gjyshja ngrihet, e tërheq vogëlushen për dore dhe përshëndet:
Orvoire!
Vazhdoj ta shikoj Indian. Emri i saj me siguri vjen nga India. Pastaj
mendoj se kjo fjalë ka në rrënjë fjalën ind. Përse kishin zgjedhur pikërisht
këtë emër për të?
Të gjitha sa ajo më tha për mua nuk ishin të padëgjuara. Por u kënaqa
aq shumë…
Kisha kohë pa biseduar me dikë. Shumë kohë…
Rrugët e vogla
Ideja se rrugët e mëdha ishin të paekzistueshme (dmth të pajetueshme),
i përshkoi trupin në mes të gjumit.
U zgjua! Çfarë të qe kjo ide?
Rrugët e mëdha janë thjesht drejtime. Njëlloj si vdekja. Hap sytë. Ke
mbërritur. Nuk ke parë gjë rrugës.
Dobia e rrugëve të mëdha është se të çojnë në botë tjetër. Njësoj si ndrrojeta!
Këto piknin në trurin e saj, pikërisht pas një shëtitje në rrugët e gjelbra të
vogla e të lëkundshme me veturë, nëpër pyjet dhe vreshtat e mitura, buzë liqenit Senagou.
– Oh, perceptimi! – ia bëri ajo.
Shpëlahej mëndja nëpërmjet shikimit. Ishte një tronditje riprurimi në jetë.
Sytë nuk kishin të ngopur, buzët gjallëronin në ajrin e luginës. Lëkura pahitej në lëngun e padukshëm të rëshirit qiellor në natyrë.
Në mendjen e saj diç përparonte këtë mbrëmje, si në çdo mendje të thurur me shtizat dhe modelet e kohës:
Gjithë lufta ndodh midis drejtimit dhe perceptimit, midis rrugëve të mëdha dhe rrugëve të vogla… Mbetej gjallë nga pasioni i saj për rrugët e vogla.