A do ta ndërtojë kompania greke, austriake, izraelite apo gjermane Qendrën e re Klinike? Në Ministrinë e Shëndetësisë në periudhën e kaluar 6 kompani të huaja që merren me ndërtim kanë prezantuar koncepte për ndërtim, financimin dhe trajnimin e kuadrit profesional dhe administrativ. Ministri Bekim Sali në deklaratë për Sitelin, thotë se duan të mbledhin përvoja dhe të zgjedhin modelin dhe mënyrën më të mirë të ndërtimit të kompleksit, i cili për 15 vjet është vetëm në letër dhe themelet nuk janë hapur.
- Ne po mundohemi të gjejmë një mënyrë, ndoshta paketa financiare që do të përfshijnë interesin social publik me institucionet që do të dononin dhe një pjesë të huamarrjes së qeverisë nga një qeveri tjetër, pra një nga vendet tona mike, thotë Sali.
Për Velepolen, që ishte edhe lokacioni i zgjedhur i ministrit të mëparshëm Filipçe, pati shumë kritika dhe bllokime nga opozita në kuvend. Këtë vit në tavolinë si skenarë të mundshëm ishin edhe kazerma Ilinden dhe SPQ 8 Shtatori, por kriteret përshtaten më së miri për vendin në Gjorçe Petrov.
Prej vitit 2009 e deri më tani, të gjithë ministrat e Shëndetësisë e kanë pas prioritet kompleksin e ri klinik, por askush nuk e ka hapur themelin. Derisa qytetarët janë në pritje të atij momenti, një numër i madh klinikash janë rinovuar dhe po rinovohen në mënyrë që të ofrojnë shërbime adekuate.



