Ne besojmë fuqishëm në rëndësinë e Ohrit për shkak të bukurisë së jashtëzakonshme natyrore dhe trashëgimisë së jashtëzakonshme kulturore. Por në të njëjtën kohë për ne është e qartë se Ohri duhet të jetë një qytet që do të ofrojë mundësi dhe punësim veçanërisht për qytetarët e tij më të rinj. Këtë e theksoi shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, Dejvid Gir, i cili së bashku me ambasadorët e vendeve anëtare të Unionit në vend, sot po vizitojnë Ohrin, ku u njohën nga afër me zbatimin e disa projekte të financuara nëpërmjet programeve të Bashkimit Evropian.
Pikërisht për këtë, theksoi Gir, bashkëpunojnë me të gjitha kategoritë, autoritetet në nivel qendror dhe lokal, organizatat e shoqërisë civile dhe sektorin e biznesit në mënyrë që, siç tha ai, të ofrohen sa më shumë mundësi në Ohër.
“Që të sigurohemi që Ohri arrin të përmbushë detyrimin për të mbrojtur trashëgiminë e tij të jashtëzakonshme natyrore dhe kulturore së bashku me UNESCO-n, ndërsa gjithashtu të jetë një qytet ku do të ketë mundësi për jetë”, tha Gir pas prezantimit të projektit Kazerma – Hab, hapësirë e cila ofron më shumë mundësi për qytetarët.
Ai shprehu kënaqësinë që BE-ja mbështeti një studim fizibiliteti që do të përcaktojë se si kazerma do të jenë në gjendje të ofrojnë shërbime për qytetarët.
“Kjo është një hapësirë publike dhe ne duhet të sigurojmë që hapësirat publike të përdoren dhe qytetarët të kenë qasje në to dhe të mund t’i shijojnë ato. Gjëja e dytë është inovacioni, ka shumë njerëz në qytet dhe vend, të cilët kanë ide të shkëlqyera se si kjo mund të bëhet më konkurruese për të krijuar vende të reja pune dhe ne duam t’u japim atyre hapësirë për të realizuar dhe zhvilluar ato ide”, theksoi ambasadori evropian./koha.mk/



