Ndarja e parakohshme nga jeta e Gilman Bakallit ka shkaktuar kaq shumë pikëllim jo vetëm tek ata që e kanë njohur.
Homazhet për të ndjerin Gilman Bakalli nisin në Bashkine Shkodër në orën 10.00-12.00.
Përcjellja e arkëmortit bëhet në orën 16.00 nga shtepia e tij në Shkodër.
Më poshtë është një intervistë që Bakalli dha për revistën Madame Mapo në fillim të këtij viti.
Jeta është si një film. Filmi është si një jetë në miniaturë. Nëse pedagogu i Komunikimit do të kishte qenë një film, do donte t’i përcillte audiencës vetëm një mesazh: Jeta është e bukur! Tamam si protagonisti i filmit, portretizuar me pathos nga Roberto Benigni i famshëm i Italisë, edhe Gilman Bakalli rrëfen se jeta është e bukur kur në emër të saj dashuron dhe kur në emër të saj të duhet të bësh edhe sakrifica…
Tipari kryesor i karakterit tuaj?
Vëzhgues, i heshtur, shpërthyes.
Po ai për të cilin jeni më pak krenar?
Kur e kthej përmbys rendin e mësipërm të tipareve.
Çfarë do të ndryshonit tek vetja, nëse do mundeshit?
Gjithçka më duhet.
Terapia juaj kundër stresit?
Sport. Kohë e lirë me njerëz që nuk kanë aspak lidhje me punën që bëj.
Tre detajet bazike të veshjes suaj?
Sportive, funksionale dhe kombinim harmonik ngjyrash.
Ç’është eleganca për ju?
Tek eleganca ka përherë diçka refuzuese.
Ç’marrëdhënie keni me pasqyrën?
Marrëdhënie ballë për ballë, të sinqertë dhe të shëndetshme.
Cilët do ishin të ftuarit e një darke ideale në shtëpinë tuaj?
Gjithë ata që i kam ftuar për herë të dytë, i konsideroj të ftuarit e një darke shumë të këndshme.
Cili personazh filmash apo librash ju frymëzon?
Tashmë këta personazhe janë thellë në pavetëdijen time dhe s’dua t’i trazoj.
Dhurata që ju pëlqen të bëni?
Pjesa që shijoj më tepër te një dhuratë është procesi i gjetjes së një ideje origjinale.
Për ju, luksi është…?
Është ndjesia që përftohet kur provon diçka ekskluzive, që është e kufizuar si mundësi për të gjithë. Mund të jetë diçka krejt e thjeshtë si hapësira. Për shembull, sot të kesh një shtëpi me bahçe, është luks.
Cila është gjëja më e mirë që keni marrë nga jeta?
Gjërat që më ka dhënë jeta!
Talenti që do të doje të kishe?
Të riparoja vetë gjërat që nuk funksionojnë. Shpeshherë më kap dëshpërimi kur mendoj se sa shumë kohë më duhet të shpenzoj për mirëmbajtjen e sendeve që më rrethojnë, përfshi dhe mirëmbajtjen e vetvetes. Në një farë kuptimi, e ndjej veten skllav të mirëmbajtësve të shoqërisë; të mekanikut, hidraulikut, elektricistit, mjekut, dentistit etj.
Deri ku do arrinit për dashurinë?
Varet nga objekti i dashurisë. Në emër të dashurisë për shoqen time të dikurshme të klasës, kam shkuar deri te martesa, e kjo nuk është pak. Në emër të dashurisë për familjen heqim dorë çdo ditë nga pak prej lirisë individuale, e kjo nuk është pak.
Fjalët që ju hutojnë?
Janë disa fjalë që dëgjoj herë pas here në televizor apo lexoj në gazeta, fjalë që nuk i kam dëgjuar kurrë më parë dhe që, papritmas, janë në gojën e gjithkujt: “qasje”, “mësimnxënie”, “politikëbërje”, “jemi dakordësuar”, “jam i keqardhur” etj. Më tmerrojnë!
Cilat janë fjalët që do të donit të dëgjonit prej të tjerëve?
Fjalë që shprehin realisht atë që të tjerët mendojnë. Jo bullshit!
Në cilën epokë do kishit dashur të jetonit?
Në një epokë, ku natyra nuk shkatërrohet si të ishte ndërtesë pa leje.
Bëni bilance në fund të ditës?
Jo! Është e kotë të bësh bilance, sepse truri ynë është i programuar për ta nxjerrë fitimin gjithmonë në anën tonë, sado keq e sado pisk t’i kemi punët.
Ju trembin vitet që ikin?
Për aq kohë sa pas çdo viti që shkon, është edhe një vit që vjen, s’kam arsye të trembem. Sëmundja është ajo që ndez alarmin e frikës së ky vit që po ikën mund të jetë i fundit…
Frika duhet fshehur?
Frika bën pjesë tek ato emocione të cilat nuk mund të fshihen. Por ama mund të mësosh ta administrosh frikën në favorin tënd.
Vdekja ju tmerron?
Më tmerron ideja e ndërprerjes akute, d.m.th. ideja se mund të zgjohem një ditë dhe të marr vesh se do më duhet të jetoj pa njërin prej familjarëve të mi ose, anasjelltas ideja se ata mund të zgjohen dhe të marrin vesh se do u duhet të jetojnë pa mua.
Karrierë pastaj fëmijë apo fëmijë pastaj karrierë?
Të dyja variantet kanë avantazhet dhe disavantazhet e veta.
Po sikur të ishe një film, si do të ishte titulli i tij?
“La vita e bella”!