Posedimi i armëve është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë dhe sillen lirshëm me to. E këto raste bëhen akoma më të rënda kur përfshihen të miturit, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu, një rast i mbajtjes dhe posedimit të paautorizuar të armëve është evidentuar mbrëmjen e 25 nëntorit 2025 në Fushë Kosovë, pas një bastisjeje të realizuar nga Njësia Kundër Krimit të Organizuar.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00 në rrugën “Lidhja e Pejës”, në ndërtesën “Semitronis”, ku në katin e parë, në një banesë , gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar 11 gëzhoja të armës së kalibrit 9 mm. Banesa është në pronësi të N.Xh.
Sipas deklarimit të tij në prani të avokatit mbrojtës, ai ka mohuar dijeninë për ekzistencën e gëzhojave, duke pretenduar se ato janë gjetur në kutinë e lodrave të djalit të tij të mitur me inicialet N.X., i cili, sipas tij, i kishte marrë disa vite më parë gjatë një pikniku në mal, pa dijeninë e prindit.
Gëzhojat janë konfiskuar nga Njësia e Drejtorisë së Teknikës Kriminalistike për ekzaminim të mëtejmë, ndërsa Prokurori kujdestar ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale: “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, në procedurë të rregullt.
Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar rrethanat e plota dhe origjinën e municionit të gjetur.


