Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, sot, në kuadër të vizitës së tij të punës në Greqi, u takua me Shefin e Diplomacisë Greke, ministrin Giorgos Gerapetritis.
Nga MPJ e Maqedonisë së Veriut thonë se ministrat shprehën kënaqësi për takimin e sotëm, në një kohë kur të dyja palët janë të përkushtuara për përmirësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Ata patën një bisedë të hapur dhe shkëmbim pikëpamjesh mbi disa çështje me interes të përbashkët.
Në takim, Mucunski shprehu mirënjohje të sinqertë për solidaritetin që Greqia tregoi gjatë tragjedisë në Koçan dhe emergjencave të fundit pranë Dojranit.
“Këto nuk ishin vetëm gjeste ndihme, por akte të vërteta miqësie”, theksoi Mucunski, njofton Ministria e Punëve të Jashtme.
Siç është raportuar, në takim u diskutua edhe për sigurinë – si në nivel rajonal ashtu edhe global.
U konfirmua veprimi i përbashkët brenda NATO-s dhe nevoja për koordinim të ngushtë në këto kohë të pasigurta. Në të njëjtën kohë, ministrat trajtuan procesin e integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Në këtë drejtim, Ministri Gerapetritis theksoi mbështetjen e fortë për rrugën tonë të integrimit evropian.
“Dua të theksoj edhe një herë mbështetjen e Greqisë për përparimin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj evropiane, bazuar në kushtëzimet e përcaktuara dhe parimin e meritave të veta, me një fokus të veçantë në kriteret themelore”, shtoi ministri grek Gerapetritis, thonë nga MPJ.