Ministri bullgar i Punëve të Jashtme, Georg Georgiev deklaroi se përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë është kushti i parë, por jo i vetmi për fillimin e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE dhe se ky nuk është bilateralizëm, por zbatim i konsensusit evropian.
“Është shumë e rëndësishme të dihet se ndryshimi i Kushtetutës dhe regjistrimi i bullgarëve si popull shtetformues nuk është kushti i vetëm. Me fjalë të tjera, nuk është mirë të lihet jashtë në gjithë atë bisedë, me qëllimin eventual – që shpresoj të mos jetë kështu, nëse bëhet regjistrimi dhe plotësohet kushti për ndryshime kushtetuese në përputhje me konsensusin evropian, që dikush të thotë: Ju thamë se bullgarët kanë vetëm një gjë në mendje”, tha Georgiev në emisionin “Bruksel 1”, përcjell PressOnline.al
Ai vlerësoi se përveç ndryshimeve kushtetuese, ka edhe konsensus evropian për zbatimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë në Bullgari dhe protokolleve që dalin prej saj, si dhe planit të veprimit për mbrojtjen e të drejtave të pakicave.
“Të gjitha këto duhet të jenë fakt, përndryshe nuk do të ketë përmbushje të konsensusit evropian, nuk do të ketë përmbushje të konkluzioneve të Këshillit dhe nëse kjo nuk është fakt, nuk do të mund të vazhdohet me hapjen e Klasterit të parë, ku janë të drejtat e njeriut”, tha Georgiev.
Shefi i diplomacisë bullgare vlerësoi se ndryshimet kushtetuese vetëm se do t’i hapin rrugë integrimit evropian dhe se duhet të plotësohen kushtet e tjera të vendosura nga BE-ja, duke shtuar se kjo nuk është çështje bilaterale apo çështje e hapur ndërshtetërore.
Georgiev theksoi gjithashtu se nuk e kupton pse politikanët maqedonas heshtin para qytetarëve të tyre dhe i paraqesin amendamentet kushtetuese si kërkesë të vetme dhe jo të parë në proces.
“Prandaj u them vazhdimisht kolegëve të mi me qëllim të mirë, vërtet nuk dua të lë të mendohet se kjo po bëhet me tendencë dhe me ndonjë qëllim të fshehtë. Përkundrazi, janë të shkruara shumë qartë kushtet bardh e zi nëpër të cilat lëviz procesi”, tha ai.
Ministri bullgar shtoi se qëndrimi i Sofjes është i qartë dhe se ajo nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj dhe nuk ka asgjë që do të përgënjeshtrojë konsensusin evropian të arritur në vitin 2022 për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, pas të cilit, siç thotë ai, e gjithë BE-ja qëndron.(PressOnline.al)