Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka vijuar mbrojtjen e tij në seancën gjyqësore që po zhvillohet në Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku ai dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, janë të pandehur.
Gjatë seancës, Meta hodhi poshtë akuzat që lidhen me çështjen CEZ-DIA, duke deklaruar se pretendimet Dritan Prifti janë të pavërteta.
“Do bëj dy plotësime për CEZ-DIA. Gënjeshtrat e Dritan Priftit janë mes nesh. Ky ka thënë që jam përfshirë unë te CEZ-DIA. Ka një email që i ka dërguar Ervis Mataj më 16 prill. I ka shkruar avokatit që kjo puna e DIA-s është korruptive. Nuk përmendet as emri im, as emri i Berishës”, deklaroi Meta.
Ai iu referua gjithashtu dëshmisë së ish-drejtuesit të kompanisë çeke CEZ, Josef Heisek, duke thënë se ky i fundit ka deklaruar se nuk e njihte biznesmenin Kastriot Ismailaj dhe se prezantimi me drejtuesit e kompanisë ishte bërë nga ish-ambasadori shqiptar në Çeki, Qazim Tepshi.
“Në dëshminë e tij, zoti Heisek në vitin 2011 thotë se nuk e njeh personin që i prezantoi CEZ-DIA. Më pas, në vitin 2014, kujton se ia prezantoi Qazim Tepshi. Ishin disa kompani dhe ne morëm disa të dhëna për DIA-n. Ajo që na bindi ishte DIA amerikane”, citoi Meta.
Ish-presidenti kundërshtoi gjithashtu një prej pretendimeve të SPAK-ut lidhur me një mesazh të vitit 2009, ku përmendet shifra “200 mijë”.
“Më sill mua patronazhistin që e ka nisur. Është shumë e thjeshtë me teknologjinë që ka avancuar që të niset një mesazh i tillë. Unë isha në opozitë. Është e pamundur që unë të nisja një mesazh të tillë për diçka që do të ndodhte 14 muaj më pas”, deklaroi Meta para trupit gjykues.


