Gazetarja Klodiana Lala shpjegoi sot tensionet në seancën e radhës të dosjes së bujshme “Plumbi i artë” në GJKKO, ku dështoi për shkak të mungesës së një prej të pandehurve, Altin Ndocit, që u arratis dy ditë më parë nga spitali i Durrësit, ku ishte dërguar për mjekim.
Aktualisht avokatët kanë kërkuar ndërprerjen, sepse klienti nuk mund të përfaqësohej pa qenë prezent dhe përplasjet kanë qenë të forta, deri edhe në ironi. GJKKO ka vendosur në këtë situatë që t’i dërgojë shkresë Policisë së Shtetit për të sqaruar statusin e Altin Ndocit, për arratisjen dhe nëse ëhstë në kërkim.
“Altin Ndoci duhet të paraqitej sot në Gjykatën e Posaçme për proces për përballje me drejtësinë, por nuk u paraqit për shkak të arratisjes. Në dosjen “Plumbi i artë” ai akuzohet për vrasje dhe plagosje në 2019. Viktimat ishin armiq të organizatës së Çopjave, kryesisht në aktivitetin e trafikut të narkotikëve në Amerikën latine, por edhe në kuadër të ngjarjeve kriminale në Elbasan dhe më gjerë”, tha Lala për “News 24”.
Gazetarja shpjegoi edhe dinamikën e seancës dhe pozitën juridike të Ndocit në dosje.
“Por Ndoci nuk u paraqit sepse u arratis, avokati shpjegoi disa detaje. Gjykata do i drejtohet Policisë së Shtetit për informacion, nëse ky person është zyrtarisht në arrati dhe i kërkuar. GJKKO do presë shkresën e Policisë për Ndocin. Avokatët kanë bërë ironi në proces për rastin për shkak të situatës së dosjes, sepse ata po përpiqen të rrëzojnë dëshminë e të penduarit Nuredin Dumani. Ka një përplasje të ashpër në këtë proces. Nga hetimet e deritanishme për rastet e para Ndoci nuk doli i përfshirë në dy ngjarjet, por u hetua për të paktën 4 vrasje të tjera në lidhje me dosjen “Plumbi i artë”. Sipas dëshmisë së Dumanit ai kishte kryer vrasjen e Andi Zylyfit dhe të paktën 4 vrasje të tjera që janë nën hetim, por tani ndodhi arratisja”, u shpreh ajo.
Më tej Lala shpjegoi se Ndoci nuk është i dënuar, por i paraburgosur.


